Debat në Ohër për dhunën mes bashkëmoshatarëve: Parandalimi dhe reagimi në kohë janë thelbësorë

Advertisement

Në prag të 12 Gushtit, Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, në vilën “Biljana” në Ohër u zhvillua një debat me temë “Dhuna mes bashkëmoshatarëve dhe vandalizmi: të rinjtë, shkollat dhe hapësira digjitale”.

Debati u organizua nga Këshilli për Rininë në kuadër të Kabinetit të Presidentes së Maqedonisë së Veriut dhe u fokusua në parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna mes bashkëmoshatarëve, ndikimin e hapësirës digjitale, shëndetin mendor, rolin e shkollave dhe shërbimeve profesionale, si dhe nevojën për një përgjigje të koordinuar institucionale.

Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova theksoi se të rinjtë nuk janë vetëm e ardhmja, por edhe e tashmja e shoqërisë. Sipas saj, përfshirja aktive e tyre është e rëndësishme për identifikimin në kohë, parandalimin dhe zgjidhjen e problemeve që lidhen me dhunën.

Ajo vuri theks të veçantë te rëndësia e shoqërimit dhe komunikimit të drejtpërdrejtë, duke theksuar se dashuria, respekti dhe kultura e paqes duhet të mësohen që në moshë të hershme.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, tha se problemet duhet të trajtohen që tani, me fokus më të madh te parandalimi, krijimi i një mjedisi të sigurt shkollor dhe përgatitja e stafit mësimor për të identifikuar format e reja të agresionit.

Në debat mori pjesë edhe Vladimir Karaev, kryetar i “Rubikon”, organizatë që përdor teknikën teatrore “teatër forum”. Ai paralajmëroi për ndikimin e dëshmitarëve pasivë, duke theksuar se dhuna merr më shumë fuqi kur ka një publik që vetëm e vëzhgon.

Aktivistja e të rinjve Selma nga Struga foli për dhunën mes bashkëmoshatarëve të motivuar nga përkatësia etnike dhe për rëndësinë e edukimit të hershëm mbi respektin e ndërsjellë. Ajo theksoi se dallimet duhet të shihen si mundësi për të mësuar nga njëri-tjetri dhe jo si shkak për ndarje.

Ndërsa studentja dhe aktivistja e të rinjve, Angela, foli për rëndësinë e përgjegjësisë personale në ndërtimin e marrëdhënieve mes bashkëmoshatarëve. Sipas saj, rrjetet sociale nuk e pasqyrojnë gjithmonë plotësisht realitetin, ndërsa komunikimi digjital shpesh lë hapësirë për keqinterpretime.

Pjesëmarrësit në debat u pajtuan se përballja me dhunën mes bashkëmoshatarëve kërkon identifikim në kohë, reagim të duhur dhe angazhim të përbashkët të institucioneve, shkollave, prindërve dhe të rinjve.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit