10.8 C
Skopje
Friday, October 10, 2025

Daut Beqiri në Haraçinë: “19 tetori do të jetë reforma e madhe për Haraçinën – ndryshimi që kthen dinjitetin e shqiptarëve”

 

Haraçinë, 9 tetor 2025 – Kandidati i koalicionit VLEN për komunën e Haraçinës, Daut Beqiri, në fjalimin e tij para një numri të madh qytetarësh, tha se “Haraçina dhe haraçinasit nuk do të lejojnë më të trajtohen si qytetarë të dorës së dytë”, duke e cilësuar 19 tetorin si ditën e ndryshimit dhe reformës së madhe për komunën.

Në prani të liderëve të VLEN-it – Izet Mexhiti, Bilall Kasami, Zekirija Ibrahimi dhe Arben Taravari – si dhe të kryetarit të shtabit të përgjithshëm Adnan Azizi, Beqiri falënderoi qytetarët për mbështetjen e fuqishme dhe theksoi se Haraçina po reflekton shpresën për barazi dhe zhvillim pas dekadash neglizhence.

> “Për 30 vite, në çdo fushatë, në Haraçinë flitet për ujin e pijshëm, kanalizimin dhe rrugët me gropa, por pas çdo zgjedhjeje, qytetarët janë lënë në harresë. Kjo epokë përfundon më 19 tetor”, u shpreh Beqiri.

 

Ai prezantoi disa nga shtyllat kryesore të programit të tij, duke theksuar se ujësjellësi, kanalizimi dhe infrastruktura rrugore do të jenë prioritete të panegociueshme gjatë mandatit të parë. Në mesin e projekteve që Beqiri paralajmëroi janë:

Modernizimi i ambulancës lokale dhe sigurimi i mjekëve specialistë,

Investime në arsimin modern dhe zhvillimin e sportit,

Ndërtimi i stadiumit, sallës sportive multifunksionale dhe qendrës rinore e kulturore,

Krijimi i zonës ekonomike për zhvillim dhe hapje të vendeve të reja të punës,

Mbështetje për bujqit dhe blegtorët e komunës, përfshirë hapjen e një njësie rajonale për Bujqësi,

Përfshirja e mërgatës në zhvillimin komunal dhe nxitja e investimeve nga jashtë.

Beqiri paralajmëroi gjithashtu se në 100 ditët e para të mandatit të tij do të realizohen projekte simbolike dhe praktike, si hapja e bankës së parë në Haraçinë, ndërtimi i sheshit me pllakë përkujtimore për heronjtë, si dhe emërtimi i rrugëve me emrat e dëshmorëve dhe personaliteteve që kanë lënë gjurmë në historinë e vendit.

> “Komuna nuk do të jetë më objekt i izoluar, por institucioni më transparent në vend. Do të ketë llogaridhënie për çdo shpenzim të bërë”, theksoi kandidati i VLEN-it.

 

Në fund të fjalimit, Daut Beqiri u zotua se në katër vitet e ardhshme, Haraçina do të shndërrohet në një qytezë moderne, të barabartë me komunat e tjera të Shkupit.

> “Pas katër viteve, do të takohemi sërish me kokën lartë, krenarë për punët dhe projektet që kemi realizuar. Për një Haraçinë europiane që VLEN!”, përfundoi Beqiri mes duartrokitjeve të shumta të qytetarëve.

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit