Haraçinë, 1 Shtator 2025 — Fillimi i vitit të ri shkollor është gjithmonë një moment i veçantë, dhe këtë ndjesi e ka ndarë edhe Daut Beqiri, kandidat i koalicionit VLEN në Haraçinë, përmes një mesazhi të ngrohtë në rrjetin social Facebook.
“Sot, si çdo prind tjetër, përcolla fëmijët e mi drejt shkollës me shumë emocione dhe shpresë për një vit plot dije, suksese dhe përvoja të bukura,” ka shkruar Beqiri.
Ai ka uruar të gjithë nxënësit e Haraçinës dhe më gjerë që këtë vit ta nisin me kurajo, përkushtim dhe besim në vetvete, ndërsa ka vlerësuar lart rolin e mësuesve në formësimin e brezave të rinj.
“Mësuesve tanë u dëshiroj që ky vit t’ua shpërblejë mundin me respekt, dashuri dhe rezultate nga nxënësit, sepse ju jeni ata që formësoni të ardhmen e fëmijëve tanë,” është shprehur ai në postimin e tij.
Beqiri nuk ka lënë pa përmendur as rolin e prindërve, të cilëve u ka uruar shëndet dhe gëzim në rritjen e fëmijëve me dije dhe vlera.
Mesazhi i tij përmbyllet me një thirrje frymëzuese për të gjithë:
“Dita e parë e shkollës është hapi i parë drejt ëndrrave të së ardhmes. Le të jetë ky vit shkollor një kapitull i mrekullueshëm për secilin prej jush!”