Daut Beqiri: Familjarët e dëshmorëve nuk janë prekur, po respektohen

Kryetari i Komunës së Haraçinës, Daut Beqiri, ka reaguar publikisht ndaj, siç i ka quajtur ai, shpifjeve dhe të pavërtetave që po qarkullojnë së fundmi në opinion.
Beqiri ka theksuar se familjarët e dëshmorëve nuk janë prekur nga asnjë largim nga puna, duke e cilësuar çdo pretendim të tillë si të pavërtetë. Ai nënvizoi se Komuna ka respekt të veçantë për sakrificën e tyre, madje ka marrë vendime konkrete në shenjë vlerësimi, duke i liruar nga shërbimet komunale dhe duke ua falur borxhet që kishin ndaj komunës.
“Gjaku dhe sakrifica e dëshmorëve nuk duhet të përdoren për poena politikë. Ajo është plagë e shenjtë për familjet e tyre dhe për gjithë ne”, ka deklaruar Beqiri.
Kryetari i Haraçinës ka qenë i prerë edhe sa i përket funksionimit të administratës komunale, duke theksuar se nuk ka më paga pa punë dhe se askush nuk mund të përfitojë pa kontribuar realisht. Sipas tij, çdo vendim merret mbi bazë profesionalizmi dhe nevojave reale të komunës.
Ai ka rikujtuar se që nga fushata zgjedhore ka premtuar punë, transparencë dhe ndershmëri, parime që, sipas tij, mbeten udhërrëfyes në çdo vendim dhe investim për zhvillimin e Haraçinës.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit