31.8 C
Skopje
Monday, September 22, 2025

Dashuri në dy gjuhë: Shqiptaret zgjedhin maqedonasit! (TABELA)

Pas martesave me shqiptarë – bashkëshortë më të preferuar për femrat shqiptare janë burrat me kombësi maqedonase. Ose për 10 vite (nga viti 2014 deri në 2024), 640 femra shqiptare kanë zgjedhur një bashkëshort maqedonas, ndërkohë që 227 burra shqiptarë kanë lidhur kurorë me grua maqedonase. Viti 2014, 2015 dhe 2016 ka qenë kulmi kur femrat shqiptare janë martuar në numër të madh me burra maqedonas

Evis HALILI

Shkup, 26 gusht – Martesat mes çifteve të përkatësisë së përzier etnike – konkretisht me baba shqiptar e nënë maqedonas dhe anasjelltë, janë kthyer sërish në shifrat e mëparshme. Vitin e kaluar, por edhe një vit më parë janë regjistruar përqindje të konsiderueshme të kurorëzimeve mes një shqiptar/e me maqedonas/e. Tendenca për të zgjedhur partnerë jo të një kombësie është më e theksuar tek meshkujt, ndërsa tek femrat është në një numër më të vogël. I përkthyer në numër, vitin e kaluar, 30 burra shqiptarë kanë zgjedhur një partnere jete maqedonase, ndërkohë që 29 femra shqiptare janë martuar me maqedonas – numër përafërsisht i njëjtë edhe më vitin 2023, kur 36 shqiptarë u martuan me maqedonase dhe 22 shqiptare me maqedonas, shkruan gazeta KOHA.

Në ndërkohë, në vitin 2022, 2021 dhe 2020, femrat shqiptare tejkalojnë numrin e burrave shqiptarë që kanë zgjedhur për partner një të etnisë maqedonase. Në 2020, 32 femra shqiptare vunë kurorë martesore me maqedonas, derisa 14 burra shqiptarë zgjodhën partnere jete femër maqedonase!

Një vit më pas – në 2021, ky numër ishte 34 (femër shqiptare-burrë maqedonas) me 18 (burrë shqiptar-femër maqedonase). Sa i takon preferencave – pasqyra tek të sapomartuarat shqiptare, është më e ndryshme. Kjo e bën bashkëshortin maqedonas zgjedhjen më të preferuar për shumë femra shqiptare, menjëherë pas martesave brenda kombësisë së tyre. Shndërruar në numra, për 10 vite (nga viti 2014 deri në 2024), 640 femra shqiptare kanë zgjedhur një bashkëshort maqedonas, ndërkohë që 227 burra shqiptarë kanë lidhur kurorë me grua maqedonase. Varianti “bashkëshort shqiptar dhe bashkëshorte maqedonase” gjithmonë ka qenë më i ulët, me një konstancë të njëjtë vitet e fundit.

Ky fenomen shpesh lidhet me traditën, pritshmëritë kulturore dhe normat shoqërore që mbizotërojnë në dy komunitetet, raporton KOHA.

GRUA SHQIPTARE-BURRI MAQEDONAS, REKORDI NË VITIN 2014

Kulmi i këtij fenomeni u shënua në vitet 2014, 2015 dhe 2016, kur numri i martesave shqiptare-maqedonase ishte veçanërisht i lartë. Vetëm në vitin 2014 u regjistruan 154 martesa të këtij lloji, një rekord që më pas nisi të bjerë gradualisht: 111 në vitin 2015 dhe 89 në vitin 2016. Ky trend lidhet ngushtë me martesat e organizuara shqiptaro-maqedonase të asaj kohe, ku gra kryesisht nga Malësia e Shkodrës martoheshin me burra maqedonas në zonat rurale të Manastirit, Prilepit apo Makedonski Brodit.

Në vitin 2014, gjithsej 154 femra shqiptare u martuan me burra maqedonas, ndërkohë që një vit më pas – në 2015, ky numër u ul në 111. Në 2016, 89 femra shqiptare vunë kurorë me burra maqedonas, ndërsa më pas – ndër vite, numri i martesave të përziera etnike me grua shqiptare dhe burrë maqedonas shënoi rënie. Në vitin 2020, u regjistruan 32 martesa të tipit “shqiptare-maqedonas” dhe vetëm 14 martesa “shqiptar-maqedonase”. Një vit më pas, në 2021, raporti mbeti pothuajse ngjashëm: 34 kundrejt 18. Në vitet e fundit diferenca është ngushtuar. Vetëm gjatë vitit 2023 u martuan 36 burra shqiptarë me gra maqedonase dhe 22 gra shqiptare me burra maqedonas, ndërsa në vitin 2024 u regjistruan 30 martesa shqiptare-maqedonas dhe 29 martesa shqiptar-maqedonase.

PËR KATËR VJET, 850 FËMIJË TË LINDUR NGA MARTESA TË PËRZIERA ETNIKE

Martesat e përziera mes shqiptarëve dhe maqedonasve prej kohësh duket se kanë thyer barriera si një nga format më të drejtpërdrejta të lidhjes shoqërore. Përtej shifrave të martesave, një tregues edhe më i rëndësishëm janë lindjet e fëmijëve nga këto martesa të përsieta etnikisht. Sipas të dhënave zyrtare të Entit Shtetëror të Statistikave, nga viti 2020 deri në vitin 2024 janë regjistruar mbi 850 fëmijë të lindur nga martesa të përziera etnike. Vetëm në vitin 2020, kanë lindur 52 fëmijë nga nëna maqedonase dhe babai shqiptar, si dhe 168 fëmijë nga nëna shqiptare dhe babai maqedonas, shkruan gazeta KOHA.

Njëjtë sikurse te martesat që dominojnë femrat shqiptar me bashkëshort maqedonas, edhe te fëmijët thuhet se dominojnë lindjet nga femrat shqiptare nga Shqipëria të martuara për maqedonas. Por, nuk është i vogël numri I lindjeve të fëmijëve që kanë baba shqiptar e nënë maqedonase. Në vitin 2021 numri i lindjeve nga varianti “nënë maqedonase – baba shqiptar” u rrit ndjeshëm në 81, ndërsa në variantin e kundërt u regjistruan 99 raste.

Vitet pasuese shënuan luhatje – në vitin 2022 kishte 64 lindje me nëna maqedonase dhe 90 me nëna shqiptare, në vitin 2023 të njëjtin variant e ndoqën 64 dhe 74 lindje. Ndërsa vitin e kaluar (2024), shifrat shënojnë 90 fëmijë me nëna maqedonase dhe 63 me nëna shqiptare. Nga analizat e ESHS-së shihet se vitet e fundit është rritur dukshëm numri i lindjeve ku nëna është maqedonase dhe babai shqiptar, konkretisht dominon varianti “nënë maqedonase – baba shqiptar”. Ky variant, që në vitin 2020 ishte dukshëm më i ulët, në vitin 2024 e ka kaluar numrin e lindjeve të regjistruara nga martesa me nënë shqiptare dhe baba maqedonas.

Gjatë dekadave të fundit rënia e numrit të kurorëzimeve ka qenë konstante dhe sipas ekspertëve është një proces i pakthyeshëm. I ndikuar sidomos nga numri i popullsisë më të re që është gjithnjë e më i vogël, emigrimi jashtë vendit, e të tjera. Pas Shkupit, ku numërohet numri më i lartë i kurorëzimeve, komuna të tjera janë ato të Tetovës (651martesa), Gostivari (511 martesa), Çair (427 martesa) Kumanova (443 martesa) Struga (405), ndërsa shifrat më të ulëta 6-7 martesa në një vit janë regjistruar në komuna maqedonase. (koha.mk)

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit