10.8 C
Skopje
Tuesday, December 9, 2025

Darka festive e Vitit të Ri do të kushtojë deri në 8 mijë denarë

Shkup, 9 dhjetor – Sa do të na kushtojë tryeza e Vitit të Ri në natën e fundit të vitit 2025? Kjo është pyetja për të cilën çdo familje mesatare në Maqedoninë e Veriut ka një përgjigje të ndryshme, dhe ajo varet nga zakonet e saj dhe sa dëshiron të shpenzojë për kënaqësinë personale në natën më të gjatë të vitit, mes 31 dhjetorit dhe 1 janarit. Por ajo që është plotësisht e sigurt është se këtë vit, tryeza festive në natën e fundit të vitit do të jetë më e varfër dhe më e shtrenjtë për qytetarët tanë, krahasuar me vendet e rajonit tonë më të afërt. Arsyet për këtë janë mirë të njohura: inflacioni i lartë në Maqedoni dhe rritja e çmimeve të produkteve bazë ushqimore.

Në shportat e konsumatorëve mund të vërehet se ka gjithnjë e më pak produkte ushqimore, pije, produkte të mishit të thatë dhe djathëra. Pjesën më të madhe të kohës gjatë pazarit – qytetarët e kalojnë duke kërkuar produkte më të lira, ndërsa njëkohësisht kontrollojnë me kujdes peshën e çdo pakete të veçantë. Po ashtu, edhe radhët para arkave janë më të shkurtra, sepse blerja me karroca të mbushura është bërë tepër e shtrenjtë. Për qarkullimin e ulur ankohen si tregtarët në markete, ashtu edhe shitësit në tregjet e gjelbra. Vëzhgimi në terren tregon se, përveç çmimit të bukës bazë, të gjitha produktet e tjera ushqimore nga muaji maj e këtej – pasi përfundoi masa e fundit për ngrirjen e çmimeve – janë shtrenjtuar dy apo edhe trefish. Kjo nënkupton se çmimet e mishit, sallatave, ëmbëlsirave dhe pijeve, të cilat janë baza e tryezës festive, këtë vit janë dukshëm më të larta.

Duket se qytetarët këtë vit vetë do ta caktojnë buxhetin për “përmbajtjen” e shportës së Vitit të Ri, sepse shteti nuk ka ndërmend të ndërmarrë masa. Praktikisht, kjo do të thotë se secili do të vlerësojë se “sa të gjatë e kanë jorganin” dhe çfarë mund të vendosë mbi tryezën që, në parim, duhet të jetë më e begatshme se ditët e zakonshme.

Nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës konfirmojnë për mediat se për momentin nuk është paraparë ndonjë masë që do të siguronte çmime më të ulëta të produkteve ushqimore, por se vazhdohet të monitorohet situata në treg. Ata që nuk duan të lodhen dhe do të blejnë në markete, do të paguajnë të paktën dyfish më shumë, sepse për shembull – një kilogram kifle të gatshme kushton nga 300 deri në 350 denarë, sallata ruse e gatshme shitet për 600 denarë, një kilogram mish të freskët derri tani ofrohet deri 400 denarë, ndërsa nëse dëshironi ta merrni të pjekur në furrë, do t’ju duhet të paguani deri në 1400 denarë për këtë delikatesë.

Gjeldeti, nga ana tjetër, ka filluar të ofrohet me çmim prej 999 denarësh. Fatmirësisht, këtë vit lakra është më e lirë krahasuar me vitet e kaluara, por nëse e blini të gatuar, një kilogram kushton të paktën 100 denarë dhe rreth 400 denarë për një kilogram mish të grirë. Këtij ushqimi padyshim i shkojnë edhe pijet e mira, ndërsa verërat më të shtrenjta shkojnë deri në 1000 denarë për një shishe 0.7 litërshe. të pashmangshme janë edhe ëmbëlsirat, të cilat mund të përgatitet në shtëpi ose të blihen në pastiçeri, për çka duhet të ndahen rreth 1000 denarë për një tortë mesatare. Në përmbledhje, për një tryezë modeste të Vitit të Ri do t’ju duhen të paktën 5000 denarë, ndërsa për një më të pasur deri në 8000 denarë.(koha.mk)

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit