Rreth 4.000 qytetarë në periudhën qershor–dhjetor 2020 kanë realizuar të ardhura nga jashtë, por nuk kanë dorëzuar llogaritje për tatimin mbi të ardhurat personale, tregojnë analizat fillestare të Drejtorisë së të Ardhurave Publike. DAP informon se janë në proces verifikimet e kryqëzuara mes të dhënave bankare dhe deklaratave elektronike tatimore, ndërsa kontrollimet do të vazhdojnë edhe për të gjitha të ardhurat nga janari 2021 deri në tetor 2025.
“Analizat fillestare konstatuan se rreth 4.000 persona fizikë që kanë realizuar të ardhura të tatueshme nuk i kanë deklaruar dhe paguar tatimin e detyrueshëm, pra nuk kanë dorëzuar llogaritje elektronike. Megjithatë, ka edhe një numër të madh personash fizikë që i kanë përmbushur rregullisht dhe me kohë detyrimet e tyre tatimore”, thonë nga Drejtoria e të Ardhurave Publike.
Nga Drejtoria e të Ardhurave Publike thonë se ende nuk mund të përcaktojnë saktësisht sa tatim mbi të ardhurat personale duhet të paguajnë qytetarët. Shtojnë se janë në proces harmonizimi me ata që tashmë kanë marrë ftesa për përputhje me ligjin.
Personi që ka punuar jashtë ose për një kompani të huaj nga vendi ynë, për rastin e tij vlen marrëveshja ndërkombëtare për shmangien e tatimit të dyfishtë. Për të mos u tatimuar edhe në Maqedoni, duhet të dorëzojë dokumente që vërtetojnë se tatimi është paguar jashtë.
Nga DAP sqarojnë se deri tani, 462 persona kanë dorëzuar vullnetarisht llogaritje për pagesën e tatimit mbi të ardhurat personale.
“Deri tani, 462 persona fizikë kanë dorëzuar vullnetarisht llogaritje dhe deklaratë për tatimin mbi të ardhurat e realizuara nga jashtë. Qëllimi i kësaj aktiviteti është të rritet vetëdija te tatimpaguesit, që rregullisht ta deklarojnë dhe paguajnë këtë tatim. Me këtë, ata do t’i përmbushin detyrimet e tyre ligjore tatimore”, thonë nga Drejtoria e të Ardhurave Publike.
DAP sqaron se të gjitha të ardhurat nga jashtë– si paga, honorare, shërbime frilens, qira, fitime kapitale, kriptovaluta, dividentë dhe të ngjashme – i nënshtrohen tatimit. Përjashtim janë të ardhurat si dhurata, ndihma familjare ose pagesa përmes Western Union, Ria dhe MoneyGram./Alsat.mk






