Festivali i njohur ndërkombëtar “Coachella” ka nisur këtë fundjavë me një strukturë të re dhe më dinamike, duke u shndërruar jo vetëm në një ngjarje muzikore, por edhe në një “event mediatik” të transmetuar globalisht.
Sipas organizatorëve, edicioni i këtij viti nis të premten nga ora 16:00 sipas kohës së Bregut Lindor të SHBA-së, përmes transmetimit live në YouTube, duke ofruar akses për publikun në mbarë botën.
Festivali është i ndërtuar mbi një sistem me tetë skena kryesore dhe disa skena shtesë, ku performancat zhvillohen paralelisht, duke krijuar një përvojë me zgjedhje të vazhdueshme për shikuesit si në terren ashtu edhe online.
Në mesin e emrave më të mëdhenj të këtij edicioni janë Sabrina Carpenter, Justin Bieber dhe KAROL G, të cilët kryesojnë netët kryesore të festivalit me performanca të shumëpritura.
Sipas programit, Sabrina Carpenter performon të premten në mbrëmje, Justin Bieber të shtunën vonë natën, ndërsa KAROL G mbyll festivalin të dielën.



