Hillary Clinton, ish-kandidatja presidenciale e demokratëve dhe kandidatja e parë grua e vendit nga një parti e madhe, ka thënë se beson se Kamala Harris mund ta mposhtë Donald Trumpin pavarësisht “seksizmit dhe standardeve të dyfishta të politikës amerikane”.
Clinton, në një shkrim për New York Times, tha: “Unë di një ose dy gjëra rreth asaj se sa e vështirë mund të jetë për kandidatet e forta gra të luftojnë kundër seksizmit dhe standardeve të dyfishta të politikës amerikane. Më kanë quajtur shtrigë, “grua e keqe” dhe shumë më keq. Si kandidate, ndonjëherë i shmangesha të flisja për të bërë histori. Nuk isha e sigurt se votuesit ishin gati për këtë”.
“Ajo është e talentuar, me përvojë dhe e gatshme të jetë presidente”, shkroi Clinton.
“Harris do të përballet me sfida unike shtesë si gruaja e parë me ngjyrë dhe aziatike e Jugut që do të jetë në krye të një partie të madhe. Kjo është e vërtetë, por ne nuk duhet të kemi frikë. Është kurth të besosh se përparimi është i pamundur”.
