Aplikacioni ChatGPT për iPhone po përgatitet për një përditësim të rëndësishëm. Zhvilluesit po punojnë për të lejuar integrimin e të dhënave nga Apple Health, që mund t’i japë përdoruesve përvojë më personale dhe ndihmë më të mirë. Në versionin më të fundit të kodit të aplikacionit është parë ikonë e re e “Apple Health”, si dhe referenca që tregon se ChatGPT mund të ketë qasje në të dhënat për aktivitetin, gjumin, ushqimin, frymëmarrjen dhe faktorë të tjerë shëndetësorë me qëllim që të ofrojë rekomandime dhe përgjigje më të përshtatura për secilin përdorues.
Për momentin, ky funksion është ende “i fshehur”, nuk është aktiv për të gjithë përdoruesit dhe nuk dihet ende se kur do të publikohet zyrtarisht. Kjo lëvizje tregon se kompania prapa ChatGPT‑s, OpenAI, synon ta zgjerojë rolin e aplikacionit, jo vetëm si chatbot për biseda dhe informacione, por edhe si një asistent që mund të ndihmojë me çështje që lidhen me mirëqenien dhe stilin e jetës për shembull duke ofruar këshilla për ushqim, aktivitet fizik apo pushim, bazuar në të dhënat personale të përdoruesit. Nëse gjithçka shkon sipas planit, kjo do të jetë një prej ndryshimeve më të mëdha që ChatGPT ka marrë për përdoruesit e iPhone-ve që nga prezantimi i integrimeve me sistemet e pajisjeve Apple.
ChatGPT, ashtu si shumë chatbot-e, paraqitet si një asistent personal. Por midis shumë gjërave që e ngatërrojnë, një është veçanërisht e çuditshme: nuk mund të tregojë kohën. Kur ChatGPT pyetet sa është ora, nuk jep përgjigje të saktë, shkruan the Verge. “Nuk kam qasje në orën në kohë reale të pajisjes suaj ose në vendndodhjen tuaj, kështu që nuk mund të them kohën e saktë lokale për ju”, thotë shpesh chatbot-i.
Ndonjëherë kërkon specifikimin e një qyteti ose zone kohore, vetëm për të zbuluar se nuk mund ta kontrollojë kohën as në atë mënyrë. Problemi i kohës ngrihet shpesh në forumet e Reddit dhe ChatGPT . Një përdorues i kërkoi OpenAI-t t’i “kushtojë vëmendje kësaj” sepse i jep “një emër të keq” modelit të Al “me aftësi njohëse”.





