Shkup, 14 nëntor – Takimi i fundit mes partnerëve të koalicionit qeverisës, VLEN dhe VMRO-DPMNE, i zhvilluar me dyer të mbyllura dhe pa asnjë komunikim publik zyrtar deri më tani, ka hapur një valë pyetjesh mbi drejtimin e ardhshëm të qeverisjes. Heshtja e gjatë pas takimit ka krijuar hapësirë për interpretime, duke ngritur dyshime se përplasjet e brendshme rivlerësimet politike dhe kalkulimet afatshkurtra mund të kenë bllokuar përkohësisht procesin e riformatimit të ekzekutivit, shkruan Zhurnal.
Takimi VLEN–VMRO me dyer të mbyllura në ndërkohë që pritjet akoma janë të hapura –
Sipas të dhënave që qarkullojnë në qarqet politike, tema kryesore e takimit ka qenë emërimi i Bekim Salit në vend të Izet Mexhitit si zëvendëskryeministër i parë një lëvizje që, nëse konfirmohet, do të përfaqësonte jo vetëm një ndryshim emrash, por një rikonfigurim politik brenda vetë VLEN-it. Në të njëjtën linjë, është diskutuar edhe vendosja e një ministri të ri të Mjedisit, çka tregon se koalicioni po synon të rifreskojë imazhin e qeverisjes dhe të zbusë tensionet e brendshme që janë bërë të dukshme muajt e fundit.
Si emër i mundshëm për ministër të Mjedisit deri në këto momente jozyrtarisht është lakuar emri i Muhamed Hoxhes, ish zëdhënës i qeverisë.
Por rrjedha e ndryshimeve nuk pritet të ndalet këtu. Qarkullimet e brendshme flasin për ndryshime të mundshme edhe në Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Arsimit, dy dikastere të cilat kanë qenë në qendër të kritikave publike dhe ku presioni për rezultate është rritur dukshëm. Megjithatë, pa konfirmim zyrtar, çdo gjë mbetet në nivelin e informatave brendapartiake jo zyrtare.
Mungesa e transparencës rreth takimit VLEN–VMRO ka krijuar një ambient ku opinioni publik është lënë në pritje, ndërsa aktorët politikë vazhdojnë lojën e tyre të balancimit të pushtetit. Për një koalicion që erdhi në pushtet me premtime për qeverisje të hapur dhe llogaridhënëse, situata aktuale është një test serioz për besueshmërinë e tij.
A do të sjellë ky riformatim një qeveri më funksionale, apo kemi të bëjmë thjesht me negociata për pozicionime të reja?
Deri në daljen e informacionit zyrtar nga protagonistët politikë, përgjigjja mbetet e paqartë dhe pikërisht kjo paqartësi po e ushqen ankthin politik.
Në këtë fazë, opinioni publik ka të drejtë të presë jo vetëm emra të rinj në poste, por edhe qartësi, komunikim transparent dhe një vizion të ri që tejkalon marrëveshjet brendapartiake. Vendi ka nevojë për stabilitet institucional, jo për heshtje strategjike që mbulon lojëra të brendshme politike. Megjithatë, sfida kryesore e kësaj përbërje qeveritare ngelin akoma ndryshimet kushtetuese për vazhdimin e rrugëtimit evropian. /Zhurnal.mk





