Çashka mirëpret Presidentin shqiptar, Bajram Begaj

Presidenti shqiptar Bajram Begaj po qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoni, me çka ai sot ka vizituar edhe shqiptarët e Çashkës. Sipas kryetarit të komunës së Çashkës Suat Shaqiri, vizita e Presidentit Begaj përbën një moment të veçantë për komunën dhe për të gjithë qytetarët e saj. Ai theksoi se gjatë takimit kanë zhvilluar një bisedë të hapur dhe konstruktive, ku është diskutuar për forcimin e frymës multietnike në Çashkë, me theks të veçantë në barazinë dhe përfaqësimin e çdo qytetari pa dallim.

Kryetari i komunës ka shprehur mirënjohje për administratën komunale për angazhimin në organizimin e vizitës, si dhe një falënderim të veçantë për qytetarët shqiptarë për mikpritjen e ngrohtë të rezervuar për Presidentin në vendlindjen e tij, Jabollçishtë e Epërme.

Gjithashtu, ai falënderoi udhëheqësinë dhe stafin arsimor të Shkollës Fillore “Liria” për përkushtimin në pritjen e Presidentit, duke vlerësuar rolin e tyre në këtë ngjarje të rëndësishme.

Në postimin e tij, Shaqiri theksoi edhe kontributin e mërgatës, e cila sipas tij, tre muaj më parë ka dhënë mbështetje të madhe, duke e cilësuar këtë vizitë si fryt të punës dhe angazhimit të përbashkët për forcimin e elementit kombëtar.

Në fund, ai bëri thirrje për unitet mes qytetarëve, pa dallime fetare apo kombëtare, duke theksuar se vetëm të bashkuar mund të ndërtohet një e ardhme më e mirë për të gjithë.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit