Në një ceremoni të veçantë të organizuar sot, Komuna e Çairit ndau 14 vendime pune për mësimdhënësit nga katër shkolla fillore të territorit të saj: “Jashar Bej Shkupi”, “Tefejjüz”, “Ismail Qemali” dhe “Hasan Prishtina”. Ky është një hap i rëndësishëm drejt sigurimit të stabilitetit dhe motivimit për kuadrin arsimor në këtë komunë.
Kryetari i Komunës, z. Visar Ganiu, theksoi rëndësinë e kësaj iniciative si pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për përmirësimin e sistemit edukativo-arsimor. “Përmes këtyre vendimeve, po ndërtojmë një të ardhme më të sigurt për arsimtarët tanë dhe një bazë të qëndrueshme për cilësinë e arsimit,” tha Ganiu.
Ky hap vjen si dëshmi konkrete e përkushtimit të komunës për të krijuar kushte më dinjitoze dhe të qëndrueshme për mësimdhënësit, duke i konsideruar ata si shtyllë kryesore të zhvillimit shoqëror dhe arsimor në Çair.





