Izet Mexhiti ka bërë të ditur sot përfundimin me sukses të një tjetër investimi madhor në Çair – rrugës “Maksut Sadik”, ndërkohë që në të njëjtën ditë ka nisur ndërtimi i kampusit modern të Universitetit “Nëna Terezë”.
Rruga “Maksut Sadik”, me vlerë investimi prej 220 mijë euro, tashmë është gati për t’u vënë në shërbim të qytetarëve. Projekti është realizuar me standardet më të larta të cilësisë, sigurisë dhe funksionalitetit, duke përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën urbane të zonës.
Kjo rrugë lidh lagjet e Çairit me bulevardin “Nikola Karev” dhe Universitetin “Nëna Terezë”, duke u shndërruar në një arterie të rëndësishme zhvillimore, që lehtëson qarkullimin dhe rrit vlerën urbanistike e ekonomike të komunës.
Në të njëjtën ditë, nisi edhe ndërtimi i kampusit modern të Universitetit “Nëna Terezë”, një investim historik prej 40 milionë euro, i pari i këtij niveli që realizohet nga një qeveri për një universitet shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
“Një përfundim dhe një fillim që bashkohen në një mesazh të vetëm: Çairi po ecën përpara, me zhvillim, me dije dhe me vepra që mbeten përjetësisht!”, – shkruan Mexhiti.