Hapja e laboratorit të ri për verifikimin e matësve të energjisë elektrike në kuadër të Byrosë së Metrologjisë ka për qëllim t’u ofrojë qytetarëve mundësinë për të kontrolluar nëse dyshojnë se matësi i tyre devijon nga parametrat e parashikuar. Ky është qëndrimi i Ministrisë së Energjisë dhe Byrosë së Metrologjisë, nga ku, për TV21 thonë se nuk kanë informacione për matës të pasaktë në shtet. Nga Byroja theksojnë se aktualisht ekziston një laborator i akredituar që kryen këtë verifikim.
Ky laborator i përket EVN-së, por është i akredituar nga Instituti Shtetëror i Akreditimit, përfaqësuesit e të cilit, një herë në vit, dalin në terren së bashku me përfaqësues të Byrosë dhe vlerësojnë nëse ky laborator i përmbush kriteret ligjore. Nga Byroja njoftuan se laboratori i tyre do të nisë së shpejti punën dhe do të zbatohen të njëjtat rregulla si kur verifikimi kryhet nga EVN.
“Shihni, nëse matësi del se është në rregull, atëherë paguan ai që ka dorëzuar kërkesën, në këtë rast qytetarët. Nëse del se është i pasaktë, atëherë paguan EVN-ja”, thotë Sedad Rushani.
Ndërkohë, procedura për të verifikuar nëse matësi regjistron saktë funksionon kështu: pasi qytetari dorëzon një kërkesë për verifikim, një ekip nga EVN Distribuimi së bashku me një përfaqësues të Byrosë dalin në terren, e marrin matësin dhe e dërgojnë për kontroll. Dhe pasi të fillojë punën laboratori i ri, procedura do të mbetet e njëjtë, me ndryshimin se matësi do të dërgohet në Byronë e Metrologjisë dhe do të verifikohet nga punonjësit e trajnuar të atjeshëm.
Nga Metrologjia thonë se çdo matës që instalohet nga EVN Distribuimi është i saktë, sepse pas verifikimit qëndron prodhuesi, çka sipas BE-së është garanci e mjaftueshme. Por në Maqedoni kjo është e përforcuar me një kontroll të dyfishtë.
“Verifikimin e parë të njehsorëve e kryen prodhuesi. Për shembull, nëse EVN bën blerjen nga jashtë Maqedonisë, kontrollorët tanë shkojnë atje dhe bëjnë verifikimin e parë. Nëse njehsorët janë në rregull, atëherë ata hyjnë në tregun e Maqedonisë”, thotë Sedad Rushani.
Përndryshe, pajisjet në Byronë e Metrologjisë janë blerë para shtatë vjetësh, por nuk janë vënë në përdorim për shkak të një mosmarrëveshjeje ligjore me furnizuesin, i cili nuk i kishte përmbushur kushtet e parashikuara në kontratë./tv21