Kur do të nisë një shpërndarje në shkallë të gjerë e specialiteteve kosovare, të afta të rivalizojnë me ato që vijnë nga Kroacia apo Maqedonia? Pyetja mbetet ende e hapur
A do t’i shohim ndonjë ditë dyqanet ushqimore në Zvicër apo Gjermani të ekspozojnë me krenari Produced in Kosovo? Kur do të nisë një shpërndarje në shkallë të gjerë e specialiteteve kosovare, të afta të rivalizojnë me ato që vijnë nga Kroacia apo Maqedonia? Pyetja mbetet ende e hapur, ndërsa disa do të përgjigjeshin me ironi: atë ditë kur vetë kosovarët do të njohin vlerën e prodhimit të tyre bujqësor dhe kur shteti më në fund do ta mbështesë këtë sektor po aq sa promovon degët e tjera të ekonomisë.
<div “=””>
Suhareka, në jug të Kosovës, është një nga komunat kryesore bujqësore të vendit.
Edhe pse ekonomia kosovare po bëhet gjithnjë e më e njohur ndërkombëtarisht përmes sektorit të tretë që po zhvillohet me ritme të shpejta, themeli i saj historik dhe shoqëror mbetet thellësisht rural. Dhe bujqësia, ndonëse pak e mekanizuar, vazhdon të jetë një shtyllë ekonomike: në vitin 2022 ajo përfaqësonte 7.4 për qind të PBB-së dhe përfshinte 23 për qind të fuqisë punëtore. Sigurisht, madhësia mesatare e fermave, e vlerësuar nga FAO (Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi) ndërmjet 1.5 dhe 3.2 hektarë, pasqyron trashëgiminë e një modeli vetëfurnizues: gati 50 për qind e sipërfaqes së përgjithshme të tokës së punueshme, pak mbi 420 mijë hektarë (që përbëjnë rreth gjysmën e territorit të Kosovës), shfrytëzohet nga ferma që kanë më pak se 5 ha, dhe njëra në dy nuk i kalon 1 ha. Prania e përhapur e traktorëve të vegjël të kuq IMT, të vjetër por të pathyeshëm, të përsosur për këto sipërfaqe, është një dëshmi e qartë vizuale e kësaj.
Disa fermerë kanë arritur të investojnë në makineri bujqësore të përshtatura për sipërfaqe të mëdha, si këta dy traktorë në afërsi të Suharekës.
Megjithatë, brenda gjysmë shekulli, struktura bujqësore e vendit ka kaluar një zhvillim të jashtëzakonshëm, gjë që shihet nga projektet e shumta inovative që kanë marrë jetë, falë sipërmarrësve të vegjël të qëndrueshëm dhe punëtorë, të cilët besojnë në konceptet e tyre dhe arrijnë të bashkohen për të krijuar sinergji efektive si në tregun e brendshëm ashtu edhe në eksport. Disa shembuj të tillë do të paraqiten në pjesën e dytë të kësaj serie prej tre artikujsh kushtuar bujqësisë kosovare. Modele frymëzuese, që kanë ditur të shfrytëzojnë potencialin bujqësor të vendit, një vend ku në disa rajone pothuajse çdo familje zotëron ende tokë të punueshme, po aq sa kanë ditur të shkojnë përtej tij. Dhe mbi të gjitha, ndërmarrje që arrijnë të kapërcejnë pengesat e shumta strukturore, madje edhe shoqërore, që ngadalësojnë zhvillimin e tyre. Duke i analizuar këto të fundit, kuptohet edhe më mirë merita e fermerëve që i përkushtohen profesionit të tyre dhe e shndërrojnë atë në një histori suksesi.










