Në fillim dua të shpreh kënaqësinë time për ditën zgjedhore. Vlerësoj se kishim një ditë zgjedhore të suksesshme, pa vërejtje të mëdha, dhe besoj se kjo është e rëndësishme të theksohet.
Dua të shpreh mirënjohje për të gjithë bashkëpunëtorët gjatë gjithë fushatës: nga aktivistët dhe shokët partiakë dhe të koalicionit, mbështetësit, forumin e grave, forumin rinor. Ishte me të vërtetë një nder të punohej me përkushtim dhe sakrificë, një proces gjatë të cilit u krijua një vizion i bukur për Çairin, por edhe shumë miqësi të reja.
Megjithatë, në politikë, fjala e fundit u takon qytetarëve. Unë kam qenë mjaft gjatë në politikë për t’i njohur dhe respektuar mesazhet që qytetarët i dërgojnë. Edhe pse fushata nuk ishte as e drejtë as e ligjshme në çdo aspekt, por unë nuk dua të ankohem, sepse besoj se ndershmëria dhe vlerat kanë kuptim vetëm kur i ruan edhe në sitiata si kjo.
Urime kundërkandidatit tim dhe të gjithë koalicionit që qëndroi pas tij, ata janë fituesit e zgjedhjeve në Çair dhe u uroj sukses në drejtimin e komunës gjatë katër viteve të ardhshme.
Në fund, dua të falënderoj familjen time, ata e mbajtën barrën më të madhe të angazhimit tim politik, por nga aty mora edhe përkrahjen e fortë.
Për hapat e ardhshëm politik, ditëve në vijim.
Ju faleminderit!