Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), z. Bujar Osmani, prej ditës së sotme ndodhet për vizitë zyrtare në Uashington DC, ku po zhvillon një agjendë intensive takimesh me përfaqësues të lartë të institucioneve amerikane.
Gjatë qëndrimit të tij në SHBA, Osmani do të mbajë një fjalim në Capitol Hill, në kuadër të Forumit Ndërparlamentar për Sigurinë dhe Mbrojtjen, si dhe do të realizojë takime me kongresmenë dhe senatorë amerikanë, profesorë universitarë dhe aktivistë me renome ndërkombëtare, njohës të zhvillimeve në Ballkan. Në fokus të këtyre takimeve janë partneriteti strategjik, siguria rajonale dhe bashkëpunimi transatlantik.
Po ashtu, Osmani do të marrë pjesë në aktivitetet zyrtare të Lutjeve të Mëngjesit Kombëtar (National Prayer Breakfast), një ndër ngjarjet më të rëndësishme diplomatike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila mbledh liderë politikë dhe institucionalë nga e gjithë bota.
Kjo vizitë dëshmon rolin aktiv dhe të rëndësishëm të BDI-së në ndërtimin dhe forcimin e marrëdhënieve strategjike me SHBA-të, si dhe angazhimin e vazhdueshëm të subjektit për avancimin e stabilitetit, sigurisë dhe perspektivës euroatlantike të vendit.



