10.8 C
Skopje
Saturday, October 4, 2025

Bujar Osmani: Është koha për ndryshim, qytetarët thonë pas 20 vitesh mjaft është

Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, në një takim me qytetarët dha një mesazh zgjimi dhe mobilizimi, me kritikë të ashpër ndaj mënyrës se si është udhëhequr komuna për vite me radhë.

“20 vite ia kemi lënë fatin e komunës në duart e një njeriu. Një njeriu. Dhe sot ndërtesa e komunës është shndërruar në seli partie, ndërsa komuna është zhvendosur në një kafene diku jashtë Çairit, ku dy njerëz nga jashtë na ‘telekomandojnë’ dhe vendosin për fatin tonë”, deklaroi Osmani.

Ai theksoi se ka ardhur koha që komuna t’u takojë përsëri banorëve të saj. Osmani potencoi se këtë ndjenjë e dëgjon çdo ditë nga terreni.

“Është koha për ndryshim. Është koha për ndryshim, dhe këtë e dëgjoj në çdo shtëpi ku trokas derë më derë. Me çdo njeri.
Thonë: duhet të ndryshohet diçka. Tani është koha, ne ta bëjmë atë ndryshim”, tha ai.

Osmani përmendi edhe problemet konkrete me të cilat përballen përditë qytetarët e Çairit, nga kaosi në komunikacion deri te kolapsi urbanistik.

“Sot nëpër rrugët e Çairit nuk mund të lëvizësh më. Sot Çairi është shndërruar në komunën më të ndotur në qytetin e Shkupit. Analizat tona tregojnë se për disa vite, me edhe 500-1000 vetura më shumë dhe disa ndërtesa pa leje, do të kolapsojnë funksionet elementare të jetës. Nuk flasim më për luks. Flasim për funksione elementare: të kesh trotuar, të kesh ujë, të kesh kanalizim. Këto do të kolapsojnë”, paralajmëroi Osmani.

Ai tha se pikërisht këto kërcënime ndaj cilësisë së jetës janë arsyeja pse është përfshirë në garën për Çair.

“Prandaj jam futur në këtë betejë, sepse edhe fëmijët e mi jetojnë këtu. Dhe kam dëshmuar në jetën time se kur futem në një punë, nuk kalkuloj. Futem 100% dhe dal me rezultat”, përfundoi Osmani.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit