Britania dhe Irlanda Veriore u përfshinë nga protestat e dhunshme gjatë javës së kaluar, pas vrasjes së tre vajzave të reja në një sulm me thikë. Protestat, që janë drejtuar kryesisht kundër imigrantëve myslimanë, u nxitën pas përhapjes së një lajmi të rremë nga aktivistët e krahut të djathtë se autori i sulmit ishte një emigrant mysliman i sapo ardhur në Britani. Kryeministri britanik Keir Starmer mbajti sot një takim urgjent me ministrat dhe zyrtarët e lartë të zbatimit të ligjit, në kuadër të përpjekjeve për t’i dhënë fund dhunës nëpër rrugë dhe sulmeve ndaj hoteleve ku strehohen azilkërkuesit.