28.8 C
Skopje
Monday, September 15, 2025

Britani dhe SHBA do nënshkruajnë marrëveshje për bashkëpunim në energjinë bërthamore

Britania dhe Shtetet e Bashkuara do të nënshkruajnë një marrëveshje historike për të bashkëpunuar në rritjen e kapaciteteve të energjisë bërthamore, gjatë vizitës shtetërore të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, këtë javë, bëri të ditur qeveria britanike.

Kjo marrëveshje synon të nxisë investime të rëndësishme për ndërtimin e termocentraleve të reja bërthamore, si pjesë e një strategjie afatgjatë për të siguruar burime të qëndrueshme dhe të pastra të energjisë.

Qeveria britanike ka intensifikuar përpjekjet për zgjerimin e energjisë bërthamore, duke u zotuar për një investim prej 14 miliardë paund (19 miliardë dollarë) në ndërtimin e centralit të ri në Sizewell C, si dhe duke përparuar projektet e kompanisë Rolls-Royce për prodhimin e reaktorëve të vegjël modularë (SMR).

Gjatë vizitës dy-ditore në Britani, Trump dhe kryeministri britanik, Keir Starmer, pritet të njoftojnë bashkëpunime të reja ndërmjet kompanive amerikane dhe britanike në fushën bërthamore. Ndër projektet kryesore përfshihet një partneritet mes kompanisë amerikane X-Energy dhe Centrica-s britanike për ndërtimin e deri në 12 reaktorëve modularë të përparuar në verilindje të Anglisë.

Një tjetër projekt i rëndësishëm me vlerë 11 miliardë paund (15 miliardë dollarë) do të zbatohet në ish-centralin elektrik me qymyr në Cottam, në Anglinë qendrore. Ky projekt, që përfshin ndërtimin e qendrave të avancuara të të dhënave të fuqizuara nga SMR-të, do të realizohet nga Holtec International (SHBA), EDF (Francë) dhe Tritax (Britani).

“Këto angazhime të mëdha na vendosin në rrugën e duhur drejt një epoke të artë të energjisë bërthamore, që do të ulë faturat e energjisë për familjet në planin afatgjatë,” deklaroi kryeministri Starmer të hënën.

Marrëveshja do të përfshijë edhe harmonizimin e kuadrit rregullator bërthamor mes dy vendeve, duke mundësuar shkurtimin e kohës së licencimit për reaktorët e rinj nga tre ose katër vjet, në vetëm dy vjet, nëse një teknologji kalon verifikimin e sigurisë në njërin prej vendeve.

LEXO EDHE:

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit