“Për çdo ditë i kontrolloj shpalljet për shitje të banesave me shpresë se do të gjej një apartament të vogël për familjen time me çmim të arsyeshëm, por më kot pasi çmimet kanë prekur tavanin”, thotë për Radion Evropa e Lirë Marija Dineva.
Për të blerë banesë në lagjet periferike të Shkupit, vetëm për një metër katror që kushton rreth një mijë euro, asaj i duhet që për dy muaj ta lërë pa prekur pagën prej 500 eurosh.
“Në këtë kohë me këto paga, nuk e di kush është në gjendje realisht të blejë një banesë. Pa kredi prej disa dhjetëra mijëra eurosh është thjesht e pamundur të blesh banesë”, shprehet Maria. Ajo shton se çmimi për banesat që ajo ka shikuar për t’i blerë në lagjet periferike të Shkupit sillet nga 1000 deri 1300 euro për metër katror.
“Ajo që më ka bërë përshtypje është fakti se banesat e vjetra, në periferi, për shembull në lagjen Hipodrom, Mazhari, çmimet e banesave për një metër katror sillen rreth 1000 euro, përderisa banesat e reja në këto lagje arrijnë vlerën 1200 deri në 1300 euro për metër katror. Me të ardhurat që kam, është shumë e vështirë të blihet një apartament në lagjet periferike të Shkupit e jo më në Qendër ku çmimet janë më shumë se dyfishi i këtyre vlerave”, shprehet Marija Dineva.
Pa të dhëna zyrtare për çmimet e banesave në Shkup
Enti Shtetëror i Statistikave dhe Agjencia e Kadastrës në Maqedoninë e Veriut pesë vjetëve të fundit nuk kanë publikuar të dhëna për çmimin e banesave në Shkup dhe as për ato në qytetet e tjera të Maqedonisë së Veriut.
Radio Evropa e Lirë i ka pyetur këto institucione për arsyen, por deri në publikimin e këtij teksti nuk ka marrë përgjigje.
Të dhënat e fundit të publikuara nga këto dy institucione janë të vitit 2019, të publikuara një vit më vonë më 2020. Sipas këtyre të dhënave, çmimi i banesave për një metër katror në Shkup atë kohë arrinte vlerën mesatarisht prej rreth 1000 eurosh