Bozhinovska – Rama: Lidhja e vendit me gaz është një hap kyç drejt stabilitetit energjetik dhe integrimit rajonal

Shkup, 18 shkurt – Aktivitetet momentale dhe hapat e ardhshëm për zhvillimin e infrastrukturës së gazit në vend, kanë qenë temë e diskutimit në takimin e sotëm të punës midis ministres së Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska dhe Drejtorit ekzekutiv të NOMAGAS-it SHA Shkup, Nedim Rama.

Në fokus të bisedimeve, siç informojnë nga ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, ka qenë ndërtimi i interkonektorit me Greqinë si një nga projektet më të rëndësishme strategjike energjetike në vend. Në takim është shqyrtua dinamika aktuale e zbatimit, rrjedha e aktiviteteve të ndërtimit dhe koordinimi midis institucioneve dhe kontraktorëve, me qëllim që projekti të zbatohet konform me afatet e parapara.

“Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe përgatitjeve për realizimin e interkonektorit me Serbinë ku u shqyrtua progresi në aktivitetet teknike dhe administrative, si dhe komunikimi dhe koordinimi i vazhdueshëm me palën serbe. Të dyja palët vlerësuan se lidhja rajonale e gazit paraqet një hap të rëndësishëm drejt diversifikimit të burimeve të furnizimit dhe rritjes së sigurisë energjetike”, ka bërë të ditur ministria.

Në takim gjithashtu është diskutuar për planet afatgjate për zhvillimin dhe zgjerimin e rrjetit kombëtar të gazsjellësit me qëllim që të mundësohet qasje më e madhe e gazit natyror për industrinë, komunat dhe amvisëritë, si dhe të mbështetet tranzicioni energjetik dhe të zvogëlohet ndotja përmes zgjidhjeve më të pastra energjetike.

Ministrja Bozhinovska ka theksuar rëndësinë e zbatimit të përshpejtuar të projekteve infrastrukturore, duke theksuar se zhvillimi i rrjetit të gazit është një prioritet strategjik i cili ndikon drejtpërdrejt në stabilitetin ekonomik, konkurrueshmërinë e ekonomisë dhe sigurinë e furnizimit me energji.

Bashkëbiseduesit u dakorduan se një qasje e koordinuar institucionale dhe bashkëpunimi i zgjeruar rajonal janë çelësi për pozicionimin me sukses të vendit si një qendër e qëndrueshme energjetike në rajon.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit