Çështja e diskutueshme që lidhet me rolin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë, përfshirë pretendimet se ai ka marrë pjesë në qitjet snajperiste ndaj civilëve në Sarajevë, është riaktualizuar sërish. Këtë herë edhe nga hetimi që është hapur në Itali.
Hetimi i Prokurorisë në Milano mbi të ashtuquajturin “Snajper Safari”, ku dyshohet se persona të pasur paguanin për të qëlluar civilë gjatë rrethimit të Sarajevës, ka rikthyer në qendër të vëmendjes emrin e presidentit të Serbisë, duke rihapur debatin mbi akuzat e mëhershme.
Ministri i Mbrojtjes së Bosnjë-Hercegovinës, Zukan Helez, në dhjetorin e vitit të kaluar kishte pohuar se presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte qëlluar me snajper mbi civilët gjatë rrethimit të Sarajevës në vitet ’90. Sipas The Guardian, hetimin e drejton prokurori Alessandro Gobbi, pas një kallëzimi të bërë nga shkrimtari milanez Ezio Gavazzeni, i cili kishte mbledhur prova për fenomenin makabër të njohur si “turizëm lufte”.





