Borë, akull dhe të ftohtë rekord, SHBA përballet me mot ekstrem

Një stuhi e fuqishme dimërore ka goditur Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shkaktuar probleme serioze në furnizimin me energji elektrike dhe në transportin ajror. Sipas të dhënave zyrtare, rreth 217 mijë konsumatorë kanë mbetur pa rrymë, ndërsa janë anuluar mbi 4 mijë fluturime në mbarë vendin.

Stuhia shoqërohet me reshje të dendura bore, shi të ngrirë dhe temperatura ekstremisht të ulëta, ndërsa pritet të përfshijë rreth dy të tretat lindore të SHBA-së dhe të zgjasë edhe në ditët në vijim. Ndër shtetet më të goditura janë Luiziana, Misisipi, Teksasi dhe Tenesi.

Presidenti amerikan Donald Trump e cilësoi situatën si “historike” dhe miratoi shpalljen e gjendjes së emergjencës federale në 12 shtete, ndërsa gjithsej 17 shtete dhe Distrikti i Kolumbias kanë shpallur emergjencë për shkak të kushteve ekstreme të motit.

Situatë e rëndë raportohet edhe në Nju Jork, ku temperaturat pritet të mbeten nën zero gjatë gjithë ditës dhe në Central Park parashikohet rënie e deri 30 centimetrave borë. Kryebashkiaku Zohran Mamdani u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet jo të domosdoshme, ndërsa autoritetet do të vendosin më vonë gjatë ditës nëse shkollat do të mbyllen, me mundësi zhvillimi të mësimit online.

Shërbimi Kombëtar i Motit paralajmëroi se stuhia mund të ketë pasoja shkatërruese deri në nivele katastrofike, veçanërisht në juglindje të vendit, për shkak të akullit të dendur dhe të ftohtit rekord. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi dhe të marrin masa mbrojtëse.

Sipas meteorologëve, kjo stuhi dimërore, e përshkruar si jashtëzakonisht e gjerë dhe e zgjatur, është shkaktuar nga masa ajri shumë të ftohta që vijnë nga Kanadaja.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit