16.8 C
Skopje
Wednesday, September 17, 2025

Bizneset s’u besojnë premtimeve elektorale

Përfaqësuesit e bizneseve në Maqedoninë e Veriut shprehen se kanë humbur besimin te subjektet politike, të cilat, në çdo cikël zgjedhor vizitojnë odat ekonomike për të prezantuar programet e tyre në fushën e ekonomisë.

Vizita të tilla po bëhen edhe tani kur po zhvillohet fushata për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare që do të mbahen në Maqedoninë e Veriut më 24 prill dhe 8 maj.

Ulje të taksave, luftë kundër korrupsionit dhe ekonomisë të paligjshme, investime kapitale, thjeshtësim të procedurave administrative për bërje biznes, janë vetëm disa nga zotimet që partitë po bëjnë para drejtuesve të odave ekonomike.

“Në programin tonë qeverisës do të ndajnë rreth 80 milionë euro si ndihmë për kompanitë vendore, ndërkohë që 3.5 miliardë euro kemi paraparë për investime kapitale. Një pjesë të madhe të mjeteve financiare kemi paraparë për politikat tatimore, por edhe për politika të reja për konsolidimin dhe zhvillimin e kompanive”, ka thënë kryetari i Lidhjes Social Demokrate (LSDM), ish-kryeministri Dimitar Kovaçevski, pas takimit me kryetarin e Odës Ekonomike, Branko Azeski.

Edhe kryetari i VMRO DPMNE-së opozitare, Hristijan Mickovski, pas takimit me Azeskin ka bërë premtime për fushën e ekonomisë.

 

Krijimi i bankës shqiptare që do të ketë në fokus kryesor financimin e bizneseve shqiptare në vend. Forcimi i zonave të lira ekonomike në komunat shqiptare me qëllim zhvillimin e njëjtë sikurse edhe komunat maqedonase”, thuhet programin e koalicionit opozitar shqiptar VLEN, program i cili u është prezantuar bizneseve në Maqedoninë e Veriut.

Edhe në programin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), që është pjesë e Qeverisë aktuale, janë bërë premtime të ngjashme.

“Politikat tona do të jenë gjithëpërfshirëse, ndërsa qëllimi kryesor do të jetë rritja e standardit jetësor të qytetarëve, por edhe përmirësimi i klimës së biznesit”, ka deklaruar Kreshnik Bekteshi nga radhët e BDI-së, i cili është ministër i Ekonomisë.

Kreu i Odës ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Mendi Qyra, tha se kompanitë për momentin përballen me mungesën e fuqisë punëtore, andaj do të ishte mirë që partitë më tepër të merren me zgjidhjen e këtij problemi, apo “në programin qeverisës të përfshijnë kërkesat tona qe mund të shërbejnë edhe për hartimin e politikave shtetërore në fushën e ekonomisë”.

“Një ndër pikat kryesore është fuqia punëtore që është problem shumë i madh në Maqedoni [të Veriut], por edhe në rajon. Kemi propozuar disa zgjidhje dhe shpresoj se partitë politike do të marrin një pjesë të programit tonë dhe ta fusin në agjendën e tyre”, deklaroi ai.

Premtimet e partive politike para odave ekonomike vijnë në kohën Maqedonia e Veriut radhitet në fund të listës në mesin e shteteve të rajonit, sa i përket rritjes ekonomike, dhe kur shteti përballet me shkallë të lartë të krimit të organizuar e korrupsionit si dhe largimit të kuadrit të kualifikuar./REL

Lajme të ngjajshme

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Lajmet e fundit