Biznes forumi Maqedoni e Veriut-Sllovaki: Mbështetje e fortë nga të dy qeveritë për bashkëpunim biznesi, nënshkruhet Memorandum mirëkuptimi

Qeveritë e Maqedonisë së Veriut dhe Sllovakisë qëndrojnë fuqishëm pas bashkëpunimit të kompanive, shqyrtojnë mundësitë për intensifikimin e partneriteteve tregtare dhe për shkëmbimin e përvojave dhe ekspertizave, ndërsa sot, në kuadër të Biznes Forumit në Shkup, nënshkruan edhe një Memorandum mirëkuptimi.

Siç u tha në Forum, ekziston një potencial i madh që duhet shfrytëzuar, ndërsa energjetika, TIK, industria e automjeteve, shëndetësia dhe turizmi janë vetëm disa nga sektorët ku mund të intensifikohet bashkëpunimi.

“Tashmë kemi një shkëmbim të caktuar tregtar në industrinë e automjeteve dhe tek disa produkte kimike, por mendojmë se në energjetikë, TIK dhe në industrinë e automjeteve ka potenciale të reja. Dëshirojmë të shohim gjithashtu se cilat janë kapacitetet eksportuese nga të dyja palët, sepse ne nuk jemi të fokusuar vetëm në tërheqjen e investimeve, por edhe në rritjen e potencialeve eksportuese, veçanërisht në industri me vlerë të shtuar të lartë, siç është vera e Maqedonisë, të cilën e promovojmë fuqishëm”, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, para fillimit të Forumit.

Ai informoi se shteti ka punuar për një periudhë të gjatë për të arritur marrëveshje që një delegacion nga Sllovakia të vijë në vendin tonë, së bashku me përfaqësues nga komuniteti biznesor, të cilët do të kenë mundësinë të krijojnë kontakt të drejtpërdrejtë me kompanitë e Maqedonisë së Veriut dhe odat ekonomike.

Sipas ministrit të Financave të Republikës së Sllovakisë, Ladislav Kamenicki, sipërmarrësit janë forca lëvizëse e rritjes ekonomike, bartës të inovacionit dhe urë mes shteteve, njerëz me vizion, guxim dhe dëshirë për bashkëpunim dhe arritje të rezultateve.

Siç vuri në dukje Kamenicki, Forumi i sotëm është një platformë ku takohen ide, përvoja dhe inovacione.

Si fusha potenciale për bashkëpunim, ai përmendi industrinë TIK, infrastrukturën, energjetikën, shëndetësinë, turizmin dhe bujqësinë. Këtu, tha ai, Sllovakia mund të ofrojë ekspertizë, veçanërisht në pjesën e teknologjive të reja dhe proceseve të automatizuara të prodhimit për të arritur vlerë dhe produktivitet më të lartë, si dhe për minimizimin e mbeturinave.

Monitorime me sensorë, menaxhim dhe automatizim i proceseve janë vetëm një segment i mbështetjes sllovake që mund ta marrë Maqedoniae Veriut.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit