1.8 C
Skopje
Tuesday, December 23, 2025

Biblioteka Kombëtare e Kosovës pasurohet me koleksionin historik “Takvîm-i Vekāji – Kalendari i ngjarjeve”

Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka shtuar në fondin e saj një pasuri të çmuar historike: koleksionin “Takvîm-i Vekāji”, gazetën e parë zyrtare të Perandorisë Osmane, themeluar në vitin 1831 gjatë sundimit të Mahmut II.

Ky botim shërbente si organ shtetëror për publikimin e ligjeve dhe dekreteve perandorake, emërimeve administrative dhe njoftimeve zyrtare, duke dokumentuar gjithashtu ngjarje me rëndësi politike dhe shtetërore në mënyrë kronologjike, përcjellë KultPlus.

Ekzemplarët e siguruar nga Biblioteka Kombëtare të Kosovës përfshijnë botime nga viti 1831 deri në vitin 1922. Këta regjistra përmbajnë njoftime dhe akte zyrtare shtetërore, si dhe përmbledhje të diskutimeve të Parlamentit të Perandorisë Osmane, ku evidentohen edhe aktivitetet e deputetëve shqiptarë si: Hasan Bej Prishtina, Hamdi Bej Preveza, Sait Efendi Shkupi, Fuad Pasha Prishtina, Bedri Bej Preveza dhe Riza Bej Shkodra.

Ky fond përbën një burim të rëndësishëm dokumentar për studimin e historisë institucionale osmane dhe rolin e elitës politike shqiptare në jetën parlamentare të Perandorisë Osmane, duke ofruar një mundësi unike për hulumtuesit dhe studiuesit e historisë./KultPlus.com

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit