Blerim Bexheti ka reaguar ndaj, siç i quan ai, akuzave dhe spekulimeve publike lidhur me themelimin e një kompanie nga fëmijët e tij madhorë. Ai thekson se kompania është hapur në mënyrë të ligjshme dhe transparente përmes Regjistrit Qendror dhe se nuk ka fituar asnjë tender, nuk ka lidhur kontrata dhe nuk ka realizuar asnjë aktivitet biznesi.
Bexheti vlerëson se po krijohet një “senzacion artificial” nga disa media dhe struktura politike, me qëllim njollosjen e tij dhe të familjes së tij. Sipas tij, e vetmja vërejtje ka të bëjë me mosdeklarimin e kompanisë në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit me një vonesë prej tre muajsh, për të cilën ai thotë se, sipas interpretimit të tij ligjor, nuk ka pasur obligim deklarimi.
Ai shton se, nëse KSHPK vlerëson ndryshe, deklarimi do të bëhet, ndërsa njëkohësisht ka bërë thirrje që institucionet të hetojnë tenderët dhe kontratat milionëshe që, sipas tij, u janë dhënë kompanive të afërta me elitat politike.



