28.8 C
Skopje
Monday, September 15, 2025

Berisha akuza për kabinetin e ri të Ramës: Dekretimi i ministres me AI, akt skandaloz

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, në një deklaratë për mediat mesditën e sotme hodhi kritika për kabinetin e ri të qeverisë “Rama 4”, që sipas tij të gjithë ministrat janë me ‘pjesë e karteleve’.

E ndërsa i mori me radhë të gjithë emrat e ministrave duke i akuzuar për korrupsion apo lidhje me “eksponentë të krimit”, për ministren virtuale, Diellën ai tha se kjo e fundit do të përdoret që të largohet përgjegjësia nga vjedhjet.

Ndërkohë skandaloze e cilësoi dekretimin e ministres Diella nga Presidenti Bajram Begaj.

“Personazhet e ricikluara të këtij pushteti janë një ogur i zi për Shqipërinë dhe shqiptarët. Por, para se të ndalem tek personazhet reale, do të ndalem tek Diella Rama, e cila përbën dhe aktin më skandaloz në historinë e një shteti.

Një president republike, për të dëshmuar që nuk ka Kushtetutë dhe as ligj, për të dëshmuar që është një skllav mjeran i akteve të tij të paligjshme, për të dëshmuar se është i nënshtruar totalisht, turpëroi Kushtetutën, turpëroi Kushtetutën duke dekretuar si ministri Diellën virtuale.

Dhe duke e dekretuar atë në një dekret me kryeministrin, në një akt të pashembullt. Fatmirësisht, pas momentit të parë, mediat ndërkombëtare filluan ta kuptojnë se Diella e Edi Ramës quhet ndryshe vjedhja e Edi Ramës.

Se prapa Diellës nuk ka asnjë qëllim tjetër, veçse largimi i çdo përgjegjësie përmes vjedhjes dhe vjedhja përmes Diellës. Edi Rama u diskreditua personalisht shumë me AKSHI-n, sepse AKSHI u faktua si një kopsht i familjes së tij.

Edi Rama është autor dhe bashkautor i dosjeve më të rënda korruptive të vendit, djegësave, aferës Al Alabar, tunelit të Llogarasë, aferave energjetike, etj. Tashmë Edi Rama gjeti zgjedhje, që përgjegjësia të mos ketë autor më.

Dhe për të mos pasur përgjegjësia autor, ai krijoi Diella Ramën. Nuk ka turp më të marrë sesa presidenti të dekretojë… Nuk ka fyerje më të madhe për sovranin sesa të ketë përfaqësues diçka që nuk ekziston, e përdorur vetëm për të vjedhur paratë e qytetarëve. Pra, për ta përmbledhur. Diella është anëtarja më e fundit dhe më e ngushtë e familjes Rama. Kjo është Diella e dekretuar nga Bajram Begaj”, tha Berisha.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit