Bekim Sali dhe Muhamed Hoxha diskutojnë sfidat në zbatimin e projekteve IPA në sektorin e mjedisi

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Çështje Evropiane, Bekim Sali, zhvilloi një takim pune me ministrin e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamet Hoxha, ku u diskutua gjendja dhe sfidat në zbatimin e projekteve IPA në sektorin e mjedisit.

Gjatë takimit u konstatua se, pavarësisht mbështetjes financiare të konsiderueshme nga Bashkimi Evropian, disa projekte përballen me sfida serioze, sidomos në absorbimin e fondeve, kapacitetet administrative dhe procedurat e prokurimit publik.

Vëmendje e veçantë iu kushtua projekteve infrastrukturore kryesore, disa prej të cilave përballen me vonesa, tenderë të pasuksesshëm ose ndërprerje kontratash, duke rrezikuar realizimin në kohë dhe shfrytëzimin e fondeve.

Ministrat ranë dakord se sfida kryesore nuk qëndron te planifikimi apo sigurimi i fondeve, por te zbatimi efektiv i tyre, dhe nënvizuan nevojën për: Forcimin e kapaciteteve administrative, Përmirësimin e menaxhimit të projekteve, Koordinim më efikas ndërinstitucional, Vendosjen e mekanizmave për parandalimin e tenderëve të pasuksesshëm.

Gjithashtu, u theksua rëndësia e përshpejtimit të reformave në kuadër të Kapitullit 27 dhe përmbushjes së obligimeve nga Agjenda e Reformave, veçanërisht në fushën e politikave klimatike dhe sistemit MRVA.

Zëvendëskryeministri Sali nënvizoi se Ministria për Çështje Evropiane do të vazhdojë të koordinojë dhe monitorojë nga afër zbatimin e reformave, me qëllim shfrytëzimin më efikas të fondeve të Bashkimit Evropian dhe arritjen e rezultateve konkrete për qytetarët.

Sipas tij, ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të menaxhimit të fondeve IPA dhe forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e mjedisit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit