Bekim Hamëz Jashari rrëfen bisedën e fundit me familjen në Prekaz

Bekim Hamëz Jashari ka kujtuar bisedën e fundit që kishte me familjen e tij në Prekaz më 3 mars 1998, vetëm pak ditë pas ngjarjeve të rënda në Likoshan dhe Qirez, të cilat e kishin tronditur thellë familjen Jashari.

Ai tregon se gjatë asaj bisede kishte pyetur babanë e tij, Hamëz Jashari, për gjendjen e armatimit dhe mundësinë e qëndresës përballë forcave serbe.

Sipas Bekim Jasharit, përgjigjja e babait të tij ishte e prerë dhe domethënëse:

“Sa do të mund të qëndrojmë, nuk e di, se ata kanë me na sulmu me krejt çka kanë. Por një gjë po ta them: qysh ka thënë Tahir Meha, kur të vdes unë kanë me shkru shtatë gazeta… Unë po të them, ka me marrë vesh krejt bota çka ka me ndodhë këtu.”

Vetëm pak ditë më vonë, më 5, 6 dhe 7 mars 1998, ndodhi beteja e njohur e Prekazit, ku u vra edhe Kryekomandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, së bashku me dhjetëra anëtarë të familjes Jashari.

Sipas Bekim Jasharit, kjo betejë tronditi ndërgjegjen e botës demokratike dhe bëri që e vërteta për Kosovën të mos mund të mbetej më e heshtur. Në të njëjtën kohë, ajo mobilizoi edhe më shumë popullin e Kosovës drejt luftës për çlirim.

“Rruga ishte e dhimbshme dhe plot sakrifica, por ishte rruga e drejtë që në fund u kurorëzua me lirinë dhe çlirimin e vendit tonë. Ky ishte çmimi i lirisë sonë”, thekson ai.

Bekim Jashari përfundon me një mesazh nderimi për dëshmorët e luftës:

“Lavdi Kryekomandantit Adem Jashari. Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të lirisë.” (INA)

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit