Ministria e Transformimit Digjital e përshëndet vendimin e Komisionit Evropian për miratimin e lëshimit të dytë të mjeteve për Republikën e Maqedonisë së Veriut në kuadër të Instrumentit për reforma dhe rritje për Ballkanin Perëndimor, në vlerë të përgjithshme prej 16 milionë euro.
“Komisioni Evropian në kuadër të vlerësimit të tij teknik vlerësoi se katër reforma janë realizuar me sukses, prej të cilave tre janë në sferën e transformimit digjital, që përfaqëson mirënjohje të rëndësishme për proceset e reformave të kryesuara nga Ministria e Transformimit Digjital”, njoftuan sot nga Ministria.
Këto aktivitete, siç bëhet e ditur në kumtesë, përfshijnë miratimin e Ligjit për Siguri të Rrjeteve dhe Sistemeve Informative, plotësisht i harmonizuar me direktivën evropiane për siguri kibernetike (NIS2), miratimin e Ligjit për dokumente elektronike, identifikim elektronik dhe shërbime të klasifikuara, me të cilin vendoset model evropian i identitetit digjital dhe miratim i Ligjit për material arkivor, me të cilin vendoset kornizë ligjore për arkivim elektronik në administratën publike.
“Ky vendim përfaqëson konfirmim konkret se institucionet evropiane e njohin dhe mbështesin punën tonë në drejtim të krijimit të shtetit digjital të sigurt, të lidhur dhe bashkëkohor. Ligjet e realizuara vendosin themele për transformim afatgjatë të administratës publike dhe krijimin e shërbimeve më të mira, më të shpejta dhe më të sigurta për qytetarët”, thotë ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski.
Nga vlera e përgjithshme, 7,4 milionë euro paguhen drejtpërdrejt në buxhetin shtetëror, përderisa mjetet e tjera janë të dedikuara për projekte infrastrukturore përmes Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF).
Ministria e Transformimit Digjital do të vazhdojë me realizimin e aktiviteteve të tjera reformuese të konfirmuara në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje, me qëllim të harmonizimit të plotë të politikave kombëtare me agjendën digjitale evropiane dhe kornizën e Dekadës Digjitale 2030