Kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas e ka uruar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për formimin e Qeverisë së re të vendit. Përmes një postimi në X – dikur Twitter – Kallas ka thënë se është krijuar momentum i ri për t’i avancuar marrëdhëniet mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës si dhe dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, prandaj vetë ajo është e gatshme të organizojë së shpejti një takim të nivelit të lartë.
Mes tjerash, Kallas ka përmendur edhe rëndësinë e kryerjes së reformave. “Kjo është rruga më e shpejtë për t’ia hapur rrugën mbështetjes së Bashkimit Evropian në vlerë prej qindra miliona eurove dhe të ketë përparim në rrugën drejt BE-së”, ka thënë Kallas.
Kurtin e ka uruar edhe Komisionarja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, e cila gjithashtu e ka përmendur nevojën për reforma dhe përfitime nga Plani i Rritjes i BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor. “Mezi pres ta vizitoj Kosovën shpejt”, ka thënë ajo përmes një postimi në X. Qeveria e re, në krye me Kurtin, i ka fituar votat e nevojshme më 11 shkurt, pas konstitutimit të Kuvendit të Kosovës.
Kurti me partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje, ka fituar mbi 51 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, duke siguruar 57 ulëse në Kuvend.
Mbledhja e parë e Qeverisë është planifikuar të mbahet në paraditen e së enjtes. Ndër prioritetet kryesore të Qeverisë në ditët e para është ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare që ka Kosova me BE-në dhe Bankën Botërore. Të gjitha së bashku kapin vlerën e rreth 1 miliard eurove./Rel/



