Këshilli i Bashkimit Evropian e ka përgatitur një rregullore të re për sanksionet, përmes së cilës do ta akuzojë për herë të parë formalisht Rusinë për përdorimin e gazit CS si mjet lufte në vijat e frontit në Ukrainë.
Në një memorandum shpjegues të parë nga njësia hulumtuese e Shërbimit rus të Radios Evropa e Lirë (REL), si bazë për këtë veprim zyrtarët e BE-së i referohen dy raporteve të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW), të publikuara me kërkesë të Ukrainës në nëntor 2024 dhe shkurt 2025.
Ky propozim është pjesë e një pakete me tri grupe sanksionesh që BE-ja pritet t’i miratojë në ditët në vijim.
Dy paketat e tjera kanë në shënjestër sulmet kibernetike dhe fushatat e destabilizimit rus në Evropë. Sipas burimeve të brendshme të BE-së, flota e fshehtë ruse do të goditet nga paketa e katërt e sanksioneve të bllokut.
Raportet dokumentojnë përdorimin e pretenduar të gazit CS në Marivka dhe Ilinka, në rajonin e Dnipropetrovskut të Ukrainës, gjatë sulmeve ruse në vitin 2024. OPCW-ja i ka bazuar raportet e saj në mostra dheu dhe uji, intervista me personel ushtarak dhe fotografi të mbetjeve të granatave dore të shënjuara “RG-Vo”, që nënkupton “granatë dore – agjent toksik”.





