10.8 C
Skopje
Friday, November 7, 2025

BDI: VMRO-VLEN largoi 155 motra medicinale nga Spitali i Tetovës, vendim diskriminues dhe i motivuar politikisht

BDI akuzon Qeverinë VMRO-VLEN për një vendim të padrejtë dhe të motivuar politikisht, që refuzon punësimin e përhershëm të 155 motrave medicinale shqiptare në Spitalin e Tetovës. Sipas BDI-së, ky vendim përmban elemente të diskriminimit etnik dhe gjinor, cenon bashkëjetesën dhe besimin në institucione. Partia kërkon anulimin e vendimit dhe rikthimin e punonjëseve në vendet e tyre të punës, duke paralajmëruar pasoja politike dhe reagim qytetar në mbrojtje të dinjitetit dhe barazisë, transmeton Portalb.mk.

“Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh indinjatën dhe shqetësimin më të thellë për vendimin e Qeverisë aktuale VMRO-VLEN për mosdhënien e pëlqimit për marrëdhënie të përhershme pune për 155 motra medicinale në Spitalin Klinik të Tetovës, gra profesioniste, nëna dhe shtylla të qindra familjeve, të cilat me vite të tëra shërbyen me përkushtim ndaj pacientëve dhe sistemit shëndetësor të vendit.

Një vendim i tillë është jo vetëm i padrejtë dhe politikisht i motivuar, por bart në vete edhe elemente të diskriminimit të hapur etnik dhe gjinor. Në vend që të vlerësohet profesionalizmi dhe sakrifica e këtyre punonjëseve, shumë prej të cilave ishin në vijën e parë të përballjes me pandeminë, atyre u është kthyer shpina në mënyrën më të padenjë të mundshme.

BDI, si parti shtetformuese që ka kontribuar në ndërtimin e sistemit të barabartë dhe të drejtë për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, e konsideron këtë vendim një precedent të rrezikshëm, që dëmton seriozisht besimin në institucionet shtetërore, minon themelet e bashkëjetesës dhe rikthen logjikën përjashtuese të së kaluarës”, thonë nga BDI.

Ata shtojnë se është e papranueshme që në një shtet që aspiron integrimin evropian, të përjashtohen “me një të rënë të lapsit 155 nëna e motra shqiptare, për shkak të një qasjeje të mbyllur, të politizuar dhe të verbër ndaj realitetit shoqëror të vendit”.

“BDI kërkon shfuqizimin e menjëhershëm të këtij vendimi dhe rivendosjen e punonjëseve në vendet e tyre të punës me karakter të përhershëm.

Qeveria aktuale duhet të kuptojë se luajtja me fatin e njerëzve dhe me dinjitetin e gruas nuk do të kalojë pa pasoja politike. Heshtja nuk është më opsion. Reagimi qytetar është i pashmangshëm, dhe ai do të jetë masiv dhe i drejtë në mbrojtje të barazisë, dinjitetit dhe të drejtës për të punuar në vendin tënd, pa frikë dhe pa përjashtim”, shtojnë nga BDI.

Kujtojmë se në muajin qershor punonjësit shëndetësorë në Spitalin e Tetovës me kontrata, të cilët janë rreth 140, protestuan pasi nuk kishin marrë rroga ndërsa kërkuan edhe vendime pune. 

Pas protestave, nga Spitali Klinik i Tetovës u premtuan se do tu paguhen pagat e prapambetura si dhe kontrata në vepër deri në fund të vitit. 

Po atë muaj ministri i ri i Shëndetësisë Azir Aliutha se brenda një muaji e gjysmë pritet të zgjidhet statusi i punës së personelit mjekësor të Tetovës, por deri tani nuk ka ndonjë zgjidhje konkrete.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit