Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj qëndrimit dhe deklarimeve skandaloze të Ministrit të Drejtësisë, duke e akuzuar atë për ndërhyrje të drejtpërdrejtë që cenon rëndë rendin kushtetues dhe ligjor të shtetit.
Sipas BDI-së, ministri ka injoruar në mënyrë brutale dhe të papranueshme kërkesat legjitime juridike të studentëve shqiptarë për mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe – një e drejtë e garantuar me Kushtetutë dhe me ligj.
“Ky veprim përbën një precedent të rrezikshëm institucional, ku Ministri i Drejtësisë vendos veten mbi Kushtetutën, mbi ligjin, mbi Qeverinë dhe mbi çdo institucion tjetër të vendit, duke cenuar rëndë parimet e shtetit të së drejtës,” thuhet në reagimin e BDI-së.
Partia vlerëson se kjo qasje jo vetëm që cenon barazinë gjuhësore dhe juridike, por godet drejtpërdrejt themelet e rendit kushtetues dhe bashkëjetesës ndëretnike në vend.
BDI i bën thirrje Qeverisë që të mos lejojë që Ministri i Drejtësisë të vendoset mbi ligjet dhe Kushtetutën, por të ndërmarrë masa konkrete për t’u mundësuar studentëve shqiptarë mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe – gjuhë në të cilën kanë kryer studimet dhe e cila është gjuhë zyrtare sipas rendit kushtetues të shtetit.
Nga BDI rikujtojnë se pas miratimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, gjatë qeverisjes së kaluar, ishte përgatitur një zgjidhje ligjore që mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe, por kjo u hoq nga procedura e miratimit nga shumica aktuale qeveritare, pa asnjë shpjegim.
“BDI riafirmon mbështetjen e plotë për studentët shqiptarë dhe kërkon respektim të menjëhershëm të ligjit, të Kushtetutës dhe të të drejtave të barabarta për të gjithë qytetarët. Heshtja institucionale ndaj këtij veprimi përbën bashkëfajësi dhe përgjegjësia politike nuk mund të shmanget,” përfundon reagimi.



