BDI ngre çështjen e përfaqësimit pas 40 avancimeve në Regjistrin Qendror

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në Regjistri Qendror i Maqedonisë së Veriut, duke ngritur shqetësime për, siç thonë, mungesën e përfaqësimit të drejtë të shqiptarëve në avancimet e fundit.

Sipas BDI-së, në këtë institucion publik janë realizuar gjithsej 40 avancime në detyrë, por asnjë prej tyre nuk i ka takuar punonjësve shqiptarë. Nga kjo parti vlerësojnë se një situatë e tillë përbën shkelje serioze të parimit të përfaqësimit të drejtë dhe të barabartë në institucionet shtetërore.

“Fakti që asnjë shqiptar nuk është avancuar tregon qartë se përfaqësimi nuk është më standard, por është bërë përjashtim”, thuhet në reagimin e tyre.

BDI gjithashtu ka drejtuar kritika ndaj VLEN, si pjesë e qeverisë, duke e konsideruar atë përgjegjëse për këtë gjendje dhe duke theksuar se, sipas tyre, mungon reagimi për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve.

Partia kërkon sqarim të menjëhershëm për kriteret dhe procedurat që janë ndjekur në këto avancime, si dhe ndërmarrjen e masave konkrete për të garantuar përfaqësim të drejtë në të ardhmen.

Në përfundim, nga BDI theksojnë se shqiptarët nuk duhet të ndihen të përjashtuar apo të padukshëm në institucionet e shtetit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit