Sot, më 07.02.2026, u mbajt mbledhja e parë mes Liderit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, dhe Kryetarit të ri të Degës së BDI-së në Kërçovë, Dr. Arlind Sejdini, në prani të aktivistëve dhe strukturave partiake.
Gjatë takimit u konfirmua njëzëri përkrahja e plotë e aktivit partiak për Kryetarin e Degës, duke u theksuar uniteti, përgjegjësia dhe gatishmëria për angazhim të përbashkët në funksion të riorganizimit dhe avancimit të degës së BDI-së në Kërçovë.
Në kuadër të procesit të riorganizimit dhe fuqizimit të strukturave partiake, u njoftua edhe për organizimin e ri të nëndegëve në të gjithë territorin e Kërçovës. Ky proces synon rritjen e efikasitetit, përfshirjes dhe koordinimit më të mirë të aktiviteteve në çdo lagje dhe vendbanim. Unanimisht u vlerësua që brenda një afati prej 30 ditësh të mbahen kuvendet e nëndegëve dhe Kuvendi i Degës.
Aktivi i BDI-së në Kërçovë shprehu falënderim dhe mirënjohje për çdo anëtar dhe përkrahës të përkushtuar ndaj parimeve dhe programeve politike të partisë, duke riafirmuar angazhimin për të qenë gjithmonë në shërbim të qytetarëve.




