BDI forcohet politikisht: PDE i bashkohet zyrtarisht, Arjanit Hoxha zgjidhet nënkryetar

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, sot ka konvokuar mbledhjen e tretë të Këshillit të Përgjithshëm, ku u diskutuan çështje që lidhen me organizimin e brendshëm partiak dhe zhvillimet aktuale politike në vend.
Në kuadër të organizimit të brendshëm, me unanimitet të plotë, Këshilli i Përgjithshëm miratoi bashkimin e Partisë Demokratike Evropiane me BDI-në. Me këtë vendim, Arjanit Hoxha, Vedat Osmani, Dritan Ramadani, Bastri Bajrami, Arben Fejzullahu, Femi Iseni, Liridon Useini dhe Veli Veliu u bënë anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të BDI-së.
Po ashtu, me propozim të kryetarit Ali Ahmeti dhe mbështetje unanime të Këshillit të Përgjithshëm, Arjanit Hoxha u zgjodh nënkryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim.
Në pjesën kushtuar zhvillimeve politike, Këshilli i Përgjithshëm shprehu shqetësime serioze për veprimet e Gjykatës Kushtetuese, veçanërisht për ndarjet etnike në trajtimin e çështjeve me sensitivitet të lartë që prekin drejtpërdrejt Marrëveshjen e Ohrit.
U theksua se përpjekjet për shfuqizimin e mekanizmit të balancuesit, Ligjit për përdorimin e gjuhëve, dygjuhësisë në ligjet që mbrojnë konsumatorin, si dhe rihapja e Rasteve të Hagës të mbyllura me Ligjin për Amnisti të vitit 2001, përbëjnë rrezik serioz për stabilitetin institucional dhe barazinë ndëretnike.
Gjithashtu, shqetësime u shprehën edhe për iniciativat për ndryshimin e emrave të rrugëve dhe institucioneve në Komunën e Tetovës, si dhe për zvogëlimin e numrit të këshilltarëve dhe përjashtimin e diasporës nga përfaqësimi.
Në përfundim, Bashkimi Demokratik për Integrim riafirmoi qëndrimin e tij të qartë dhe konsekuent në mbrojtje të Marrëveshjes së Ohrit, barazisë qytetare dhe stabilitetit demokratik të shtetit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit