Kryetari i Komunës së Butelit, Darko Kostovski, ka reaguar publikisht përmes një postimi në Facebook, duke akuzuar partitë BDI dhe VLEN Butel se kanë votuar kundër projekteve kyçe për zhvillimin e komunës.
Sipas Kostovskit, këto subjekte politike kanë votuar kundër vazhdimit të ndërtimit dhe realizimit të një sërë investimesh me rëndësi të madhe për qytetarët, përfshirë:
🔴 Ndërtimin e një çerdhe të re në Butel 2
🔴 Ujësjellës në Luboten
🔴 1 milion euro investime në Shkup Veri
🔴 Rikonstruksionin e fasadës së SHFK “Petar Zdravskovski Penko”
🔴 Rrugë të reja në Luboten dhe Vizbegovë
🔴 Qendër të re sportive te “Udarniçari” në Butel 1
Po ashtu, sipas tij, ata kanë votuar kundër mbështetjes financiare për familjet dhe të rinjtë, përfshirë:
🔴 5.000 denarë për çdo të porsalindur
🔴 Bursa për nxënësit më të mirë
🔴 Bursa për sportistët
Kostovski thekson se arsyetimi i tyre ishte mungesa e zhvillimit të barabartë, ndërkohë që projektet e listuara realizohen pikërisht në zona ku jetojnë qytetarë të përkatësisë etnike shqiptare.
“Nuk mund ta imagjinonin që këto projekte do të bëheshin realitet. Vendimet e paarsyeshme janë shenjë dobësie. Populli sheh dhe e di të vërtetën”, shkruan Kostovski.
Në fund, kryetari i Butelit ishte i prerë në mesazhin e tij politik:
“Me mua nuk ka pazarllëqe. Këtë duhej ta kishit mësuar tashmë.”
Ai përfundon duke paralajmëruar se Komuna e Butelit po hyn në vitin më të suksesshëm të saj, me projekte konkrete dhe zhvillim të dukshëm në terren.



