Shkup, 9 Tetor 2025 – Kandidati i koalicionit VLEN, Bashkim Bakiu, ka denoncuar neglizhencën e vazhdueshme ndaj zonës së Matkës dhe Treskës, duke theksuar se në 20 vitet e fundit nuk është bërë asnjë investim serioz, asnjë përmirësim i infrastrukturës dhe asnjë planifikim urban minimal.
“Nuk është shtruar as edhe një metër asfalt. Nuk është bërë asnjë ndërhyrje infrastrukturore, asnjë plan për parking, që është ndër problemet më të mëdha në këtë zonë me potencial të jashtëzakonshëm,” deklaroi Bakiu. Ai theksoi se mungesa e vizionit dhe e vullnetit politik ka lënë pas dore një nga pasuritë më të mëdha natyrore dhe turistike që ka Shkupi.
Sipas tij, me një plan konkret dhe me një investim modest, Matka dhe Treska mund të shndërrohen në atraksione të vërteta turistike, duke gjeneruar zhvillim ekonomik, vende pune dhe një jetë më të mirë për banorët e zonës.
“Ne nuk kemi nevojë për miliona, por për seriozitet. Me pak, mund të bëjmë shumë, nëse punojmë me përkushtim dhe vizion. Matka dhe Treska nuk e meritojnë të jenë të harruara,” shtoi ai.