16.8 C
Skopje
Wednesday, November 12, 2025

Banka Evropiane e Investimeve do të hapë përfaqësi në Shkup

Banka Evropiane e Investimeve do të hapë përfaqësi në Shkup. Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Muçunski, theksoi se nga pavarësia deri sot, BEI ka investuar mbi 1,6 miliardë euro në sektorë kyç për zhvillim të qëndrueshëm të shtetit, përfshirë infrastrukturën, energjetikën, transportin, mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe modernizimin e shërbimeve publike. Robert De Grot, nënkryetar i Bankës Evropiane të Investimeve, shprehu kënaqësinë që bashkëpunimi do të vazhdojë me intensitetin deri tani në disa fusha, si energjetika, transporti, lidhshmëria dhe tranzicioni drejt burimeve të rinovueshme të energjisë.

“Qysh nga sot, BEI do të jetë edhe më afër institucioneve shtetërore, vetëqeverisjes lokale dhe kompanive maqedonase – duke i mbështetur në realizimin e investimeve dhe projekteve të tyre zhvillimore. Prania më e afërt e BEI-së përbën një sinjal të qartë se shteti ynë po lëviz drejt një ekonomie moderne, evropiane dhe konkurruese – e hapur për investime dhe e orientuar drejt rritjes afatgjate dhe të qëndrueshme”, tha Timço Mucunski – Ministër për Punë të Jashtme.

“Me të vërtetë jam i kënaqur që kemi formalizuar marrëdhëniet e përfaqësisë sonë dhe personelit që kemi në përfaqësinë tonë në Shkup. Që nga viti 1991, kemi rënë dakord për investime mbi 1,6 miliardë euro për të mbështetur ekonominë, infrastrukturën, komunat, si dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, por është gjithashtu e nevojshme të lehtësojmë qasjen e tyre tek kreditë. Ne jemi vërtet të përkushtuar ndaj kësaj përfaqësie. Këtë e nisëm që në vitin 2022 dhe duam që të jetë pjesë e rrugëtimit të integrimit të vendit, së bashku me delegacionin e BE-së,” theksoi nënkryetari i BEI-së. /Alsat.mk

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit