15.8 C
Skopje
Wednesday, October 22, 2025

Bajrush Mjaku, artisti që i dha shpirt skenës

Monografia “Urtësi e Marrëzi” është dëshmi e një jete të përkushtuar ndaj skenës. Ajo flet jo vetëm për sukseset individuale të Bajrush Mjakut, por për një epokë të tërë të artit shqiptar, ku pasioni dhe ideali mbetën më të fortë se pengesat materiale. Përmes veprave të tij, Bajrush Mjaku ka ndihmuar që emri i teatrit shqiptar të mos jetë më i mbyllur brenda kufijve kombëtarë, por të frymojë lirshëm në skenat botërore  aty ku arti nuk njeh gjuhë, por vetëm shpirtin e krijuesit

 

Në historinë e artit shqiptar bashkëkohor, pak emra mbeten aq të lidhur me teatrin dhe skenën sa Bajrush Mjaku. Aktor, regjisor dhe krijues me shpirt kërkues, ai është një prej figurave që ka sfiduar kufijtë, duke i dhënë teatrit shqiptar dimension ndërkombëtar. Përmes dhjetëra shfaqjeve, interpretimeve dhe bashkëpunimeve në qendra kulturore nga Shkupi deri në Nju Jork, Mjaku ka dëshmuar se arti shqiptar ka zë, dinjitet dhe vizion universal. Në karrierën e tij që shtrihet përtej tri dekadave, Bajrush Mjaku ka ndërtuar një trashëgimi të gjerë artistike në skenën teatrore.

Nga produksionet e Teatrit Shqiptar në Shkup, ai ka sjellë për publikun shfaqje të mëdha si “Uji i Madh” i Zhivko Çingos, “Bofqa” e Edward Bondit, “Pahintikë në ëndërr” e Xhabir Ahmetit, “Unë Halil Garrija” e Beqir Musliut, “Kurorëzimi Politik” i Fadil Haxhiqit, “Eshtrat që vijnë vonë” dhe “Nesër nisemi për në Parajsë” të Teki Dërvishit, e deri te klasikët si “Mbreti Lir” i Shekspirit dhe “Baal” i Bertolt Brechtit.

Puna e tij në “Teatrin e një aktori” është një tjetër kapitull i rëndësishëm i krijimtarisë së tij, ku Mjaku ka sfiduar vetveten në role të rënda psikologjike dhe filozofike. Me “Ditari i një të çmenduri” të Gogolit, “Mbrojtja e Sokratit” të Platonit, “Armiku i Popullit” të Ibsenit, apo “Kërkohet një klloun plak” të Vishnikut, ai ka përfaqësuar artin shqiptar në skena të njohura evropiane dhe botërore. Falë pasionit dhe përkushtimit të tij, Bajrush Mjaku ka prezantuar teatrin shqiptar në qindra qendra kulturore dhe festivale me renome ndërkombëtare. Nga Tirana e Durrësi në Shqipëri, deri në Beograd, Zagreb, Lubjanë, Sarajevë e Sofje, ai ka qenë gjithmonë zëri që përfaqëson kulturën e kombit përmes artit. Lista e vendeve ku ka shfaqur artin e tij është mbresëlënëse: Franca, Gjermania, Italia, Anglia, Zvicra, Turqia, Rusia, Norvegjia, Suedia, e deri në kontinentet e largëta si Amerika, Afrika dhe Azia. Shfaqjet e tij janë mirëpritur në qytete si Pariz, Avinjon, Vjenë, Bon, Londër, Oslo, Stokholm, Kajro, Aleksandri, Doha e deri në Ulan Bator të Mongolisë.

Nëpërmjet bashkëpunimeve me institucione prestigjioze si “Intercult” i Stokholmit, “Teatri Mbretëror” i Upsalës, “Qendra Multimedia” e Prishtinës apo “Bitef Teatar” i Beogradit, Mjaku ka ndërtuar ura të reja midis kulturës shqiptare dhe asaj evropiane.

Rruga e një artisti nuk është asnjëherë e lehtë. Vetë Mjaku pranon se shumë nga ftesat për festivale ndërkombëtare kanë mbetur të parealizuara për mungesë të përkrahjes financiare nga institucionet shtetërore. Megjithatë, ai ruan një ndjenjë të thellë mirënjohjeje ndaj Ministrisë së Kulturës për ndihmën e dhënë, sado modeste të ketë qenë. Për të, arti është mbi gjithçka: mbi pengesat, mbi politikat, mbi harresën.

“Disa e quajtën shëtitje nëpër botë, por unë e quaj mision kulturor,” ka thënë ai, duke përmbledhur në një fjali gjithë përkushtimin e tij jetësor ndaj artit. Monografia “Urtësi e Marrëzi” është dëshmi e një jete të përkushtuar ndaj skenës. Ajo flet jo vetëm për sukseset individuale të Bajrush Mjakut, por për një epokë të tërë të artit shqiptar, ku pasioni dhe ideali mbetën më të fortë se pengesat materiale. Përmes veprave të tij, Bajrush Mjaku ka ndihmuar që emri i teatrit shqiptar të mos jetë më i mbyllur brenda kufijve kombëtarë, por të frymojë lirshëm në skenat botërore – aty ku arti nuk njeh gjuhë, por vetëm shpirtin e krijuesit. (koha.mk)

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit