Në fjalimin e tij me rastin e zyrtarizimit të Shtabin Qendror Zgjedhor të Koalicionit VLEN për zgjedhjet e ardhshme lokale, shefi i shtabit Adnan Azizi ka dërguar mesazh edhe për zhvillimet e fundit në skenën politike shqiptare.
Duke dërguar porosi deri tek BDI dhe Taravari, Azizi mes tjerash tha se furtunat e tyre për të dëmtuar VLEN-in, nuk ishin aspak lëkundëse për këtë Koalicion.
“Kjo u konfirmua edhe në zhvillimet më të fundit, kur kundërshtarët e jashtëm tentuan që duke krijuar furtuna të brendshme, të na dëmtojnë, ta ndalojnë rrugën e ndryshimit, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, vendosjen e drejtësisë dhe ndërtimin e të ardhmes më të mirë. Por për fatin e keq të tyre, ajo furtunë, nuk u ndje aspak nga trungu i VLEN-it, por luhati vetëm disa degë të shartuara nga dora e fshehtë, për ta shkatërruar të gjithë pemën tonë të shpresës! Por siç duket, u tha vetëm ajo dorë e zezë!”, deklaroi Azizi.
Ai shtoi se promovimi i Shtabit Zgjedhor të VLEN, nuk është vetëm një prezantim formal. Por është vazhdimi i rrugës drejtë unifikimit të brendshëm.
“Vazhdim i një qasjeje të re politike, e cila po dëshmon se kur tek Liderët, në vend të egos personale – sundon interesi qytetar dhe kombëtar, atëherë ndodh unifikimi, i cili fillimisht solli ndryshimin e madh, e tani, për çdo ditë po i jep fund çdo veprimi anti njerëzor e anti shqiptar”, tha mes tjerash Azizi.
Shefi i Shtabit Zgjedhor të VLEN tha se këto procese kaq të rëndësishme dhe të mëdha, nuk janë lehtë të kalueshme, por për ata që e kanë nijetin e sinqertë, pengesat e ngrejnë edhe më lartë, sfidat e forcojnë ndërsa kurthet e motivojnë edhe më shumë për të arritur drejtë qëllimit!/Ora24.tv





