Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, mbajti sot një press-konferencë së bashku me drejtoreshën e Institutit të Shëndetit Publik, dr. Marija Andonovska, si dhe dr. Akim Ali, përfaqësues i World Health Organization dhe shef i zyrës së OBSH-së në vend, me rastin e prezantimit të rezultateve të hulumtimit global mbi përdorimin e duhanit tek të rinjtë.
Të dhënat nga hulumtimi tregojnë se 13,6% e nxënësve të moshës 13–15 vjeç aktualisht përdorin ndonjë produkt të duhanit, që është prevalenca më e lartë e regjistruar deri më tani. Veçanërisht shqetësuese janë edhe të dhënat se 57% e të rinjve kanë qenë të ekspozuar ndaj tymit të duhanit në shtëpi, ndërsa 55,4% kanë qenë të ekspozuar në ambiente të mbyllura publike.
“Ajo që është indikative për ne si krijues të politikave shëndetësore është se një pjesë shumë e madhe e nxënësve të anketuar e mbështesin masën për ndalimin e pirjes së duhanit në ambiente të mbyllura publike. Gjithsej 86,9% e të anketuarve e mbështesin këtë masë. Pikërisht për këtë arsye, propozim-ligjin e ri për mbrojtje nga duhani e sjellim si ligj për gjeneratat e reja, me një mesazh drejtuar të rinjve se shteti më në fund po qëndron në anën e tyre. Qëllimi thelbësor është denormalizimi i pirjes së duhanit, të cilin do ta arrijmë përmes katër shtyllave të ligjit: mbrojtje e plotë nga duhanpirja pasive; ulje e atraktivitetit përmes ndalimit të shitjes së produkteve me aroma karakteristike që krijojnë shije ose efekt ndijor të ndryshëm nga profili natyral i duhanit; kufizim i marketingut dhe ekspozimit; si dhe kufizim i disponueshmërisë dhe forcim i kontrollit të shitjes ndaj të miturve”, theksoi ministri Aliu.
Ai shtoi se Ministria e Shëndetësisë, së bashku me Institutin e Shëndetit Publik, OBSH-në dhe të gjitha institucionet kompetente, vazhdon me vendosmëri të zhvillojë kapacitetet sistemore për kontrollin e duhanit dhe mbrojtjen e shëndetit të të gjithë qytetarëve, veçanërisht të të rinjve.
Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, dr. Marija Andonovska, theksoi se rezultatet e hulumtimit të fundit tregojnë tri gjëra të rëndësishme: së pari, përdorimi i nikotinës tek të rinjtë mbetet një sfidë e rëndësishme e shëndetit publik; së dyti, produktet e reja me nikotinë po marrin gjithnjë e më shumë hov dhe po ndryshojnë pamjen e varësisë tek adoleshentët; dhe së treti, ekspozimi ndaj tymit përmes duhanpirjes pasive, ndikimi i marketingut dhe disponueshmëria e produkteve për të miturit vazhdojnë të përbëjnë një sfidë serioze sistemore.
“Të dhënat tregojnë edhe diçka tjetër: ekziston mbështetje e fortë nga të rinjtë për masa mbrojtëse dhe një potencial i qartë për politika të suksesshme. Kjo na jep bazë për veprim. Si Institut i Shëndetit Publik, detyra jonë është të sigurojmë prova të bazuara në shkencë. Këto prova sot janë vënë në dispozicion të institucioneve, vendimmarrësve dhe publikut. Vendimet që do të pasojnë nuk janë vetëm administrative – ato janë vendime për shëndetin dhe të ardhmen e kësaj gjenerate”, u shpreh dr. Andonovska.
Dr. Akim Ali, përfaqësues i OBSH-së dhe shef i zyrës së saj në vend, theksoi se nga përvoja e vendeve të tjera dihet se ligji për mbrojtje nga duhanpirja është veçanërisht i rëndësishëm për mbrojtjen e fëmijëve, grave shtatzëna, të moshuarve, punëtorëve dhe të gjithë qytetarëve.
“Kur vendoset një ligj i tillë, zvogëlohet numri i pranimeve në spital, i rasteve me goditje në tru dhe i vdekjeve nga sëmundjet kardiovaskulare. Njëkohësisht, krijohet hapësirë për qarkullim më të madh në industrinë e shërbimeve, sepse më shumë njerëz frekuentojnë ambientet pa duhan. Edhe vetë duhanpirësit në shumë vende të tjera e kanë mirëpritur miratimin e një ligji të tillë”, theksoi dr. Ali, duke nënvizuar se është koha të mbrojmë fëmijët tanë dhe të ardhmen tonë, pasi asnjë hapësirë nuk mund të konsiderohet private kur punonjësit dhe fëmijët ekspozohen ndaj tymit të cigareve.



