Avokati i Daniel Kajmakoskit: Nuk kishte konflikte me askënd, motivi i rrëmbimit dyshohet të jetë përfitimi financiar

Këngëtari maqedonas Daniel Kajmakoski, i cili u rrëmbye në Beograd natën mes së shtunës dhe së dielës, ndodhet në gjendje të qëndrueshme shëndetësore, por ende po përballet me pasojat e stresit pas ngjarjes traumatike.

Avokati i tij, Branislav Stanishiq, konfirmoi se Kajmakoski është fizikisht mirë dhe po rikuperohet me mbështetjen e familjes dhe të afërmve, ndërsa hetimet për rastin janë ende në zhvillim.

Ai theksoi se për momentin nuk mund të jepen shumë detaje, pasi kërkimi për të dyshuarit vazhdon dhe informacionet po ndahen në koordinim me policinë. Sipas tij, personat e dyshuar e kanë braktisur vendin pranë Rumës, ku automjeti ishte ndalur pas përplasjes me mbrojtësen e rrugës, dhe që atëherë janë në arrati.

Stanishiq bëri të ditur se, sipas informacioneve që kanë deri tani, kërkimi është përqendruar te persona që dyshohet se mund të jenë me origjinë turke ose nga ndonjë vend ku flitet një gjuhë e ngjashme, ndërsa nuk dihet ende nëse bëhet fjalë për shtetas të huaj apo persona me status tjetër qëndrimor në Serbi.

Avokati nënvizoi se Kajmakoski nuk ka pasur konflikte me askënd dhe nuk kishte arsye të dyshonte se mund të bëhej objekt i një sulmi të tillë.

“Danieli është para së gjithash artist dhe nuk është person që do të mund të dallonte shenja se dikush po e ndiqte. Ai nuk ka pasur mosmarrëveshje me askënd dhe nuk ka arsye që dikush ta kishte në shënjestër për motive personale”, deklaroi Stanishiq.

Sipas vlerësimit të mbrojtjes, motivi më i mundshëm i rrëmbimit është përfitimi material. Avokati shtoi se Kajmakoski ka besim në institucionet e rendit dhe se pret që autorët të identifikohen dhe të vihen para drejtësisë sa më shpejt.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit