Agjencia për Ushqim dhe Veterinari ka parandaluar hyrjen e rreth 50 tonëve ushqim të pasigurt në tregun e Maqedonisë së Veriut, pasi inspektorët konstatuan parregullsi serioze në dy dërgesa në pikën kufitare Qafë Thanë.
Sipas autoriteteve, bëhet fjalë për 27 ton mish viçi të grirë me origjinë nga Paraguai, i cili rezultoi se vinte nga një objekt i paautorizuar nga Agjencia. Për këtë arsye, dërgesa nuk i plotësonte standardet bazë të sigurisë ushqimore dhe paraqiste rrezik potencial për shëndetin e konsumatorëve.
Vendimi për ndalimin e importit është marrë pas verifikimit të detajuar të dokumentacionit dhe të dhënave në sistemin informativ të institucionit.
Përveç mishit, inspektorët kanë ndaluar edhe importin e 22 tonëve arra nga Kazakistani. Arsyeja për këtë masë ishin parregullsitë në etiketim dhe devijimet nga kriteret e përcaktuara për cilësi dhe siguri. E gjithë sasia është kthyer në vendin e origjinës dhe nuk është lejuar të hidhet në treg.
Nga Agjencia njoftojnë se kontrollet do të vazhdojnë me intensitet të shtuar për të parandaluar hyrjen e produkteve të pasigurta, duke theksuar se mbrojtja e shëndetit të qytetarëve mbetet prioritet kryesor.



