Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka ndaluar importin e mishit të pulës nga Brazili për shkak të gripit të shpendëve, dhe importi dhe tranziti i kafshëve të vogla shtëpiake dhe të egra, mishit, qumështit, përpunimit të tyre dhe nënprodukteve nga kafshët e vogla shtëpiake dhe të egra nga Shqipëria është gjithashtu i ndaluar pas shpërthimit të murtajës tek këto kafshë, transmeton Portalb.mk.
“Pesë ditë më parë, morëm vendim për të ndaluar importet nga Shqipëria për shkak të murtajës tek kafshët e vogla. Policia, ushtria, të gjitha shoqëritë veterinare dhe veterinerët zyrtarë janë alarmuar dhe duhet të jenë vigjilentë. Vitin e kaluar, sëmundja ishte e pranishme në Greqi, rreth 16,000 kafshë u asgjësuan brenda një dite, por ne arritëm ta parandalonim shfaqjen e saj në vendin tonë”, tha drejtori i AUV, Oliver Milanov.
Në fjalimin e tij në forumin për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për sigurinë ushqimore, Milanov informoi se që nga fillimi i këtij viti, rreth 56 ton ushqim me origjinë shtazore dhe jo-shtazore janë sasgjësuar si të pasigurta, dhe se kontrolle shtesë kryhen për çdo ngarkesë të importuar në vend.
“Që nga fillimi i këtij viti, 10 dërgesa janë kthyer si të pasigurta, shumica e tyre për shkak të importeve nga rajone/vende të ndaluara. Një dërgesë me ushqim me origjinë shtazore me peshë 207 ton u asgjësua, dhe rreth 30 ton ushqim me origjinë jo-shtazore u asgjësua gjithashtu si të pasigurta, më shumë se gjysma e të cilave ishte ujë mineral i importuar i pasigurt, për shkak të kontaminimit bakteriologjik, jodizimit të pamjaftueshëm të kripës dhe mbetjeve të përcaktuara të pesticideve në perime”, theksoi drejtori i AUV-së.
Sipas tij, në zinxhirin e ushqimit të sigurt, përveç shkencës, institucioneve dhe operatorëve, një hallkë shumë e rëndësishme janë edhe qytetarët të cilët shpesh ngrenë alarmin për mospërputhjet. Që nga fillimi i këtij viti, siç tha ai, më shumë se 360 iniciativa për mbikëqyrje inspektuese janë paraqitur përmes Departamentit të Mbrojtjes së Konsumatorit.





