Në prag të festave të Vitit të Ri, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka realizuar 262 inspektime të jashtëzakonshme për kontrollin e sigurisë së pakove të Vitit të Ri për fëmijë.
Inspektimet janë kryer në magazina për paketimin e pakove, supermarkete dhe dyqane që tregtojnë këtë lloj produktesh.
Për shkak të mospërputhjes së afateve në deklaratën e përmbledhur me afatet individuale të produkteve në pako, si dhe për shkak të deklaratave jo të plota, shërbimet inspektuese të AUV-së kanë nxjerrë 4 vendime me urdhër për tërheqjen nga qarkullimi të pakove të Vitit të Ri, ndërsa ndaj dy operatorëve ushqimorë janë nxjerrë vendime me urdhër për vendosjen e deklaratave përmbledhëse në pako.
Nga 262 kontrollet inspektuese të kryera për sigurinë e pakove të Vitit të Ri, nuk ka operatorë ushqimorë të gjobitur me para dhe as nuk është asgjësuar ushqim i pasigurt.





